Kosova dëshiron të dorëzojë aplikacionin zyrtar për anëtarësim në BE para fundit të këtij viti. Gjatë vizitës së tij në Kosovë, kancelari e çmoi qëndrimin e qeverisë për luftën në Ukrainë. Scholz, nga ana tjetër, sugjeron që Serbia fqinje, duhet të rishqyrtojë politikën e saj ndaj Rusisë.
Në fillim të udhëtimit të tij në Ballkan, kancelari Olaf Scholz bëri thirrje për pajtim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Është e rëndësishme që dialogu i udhëhequr nga BE-ja mes dy vendeve fqinje të përparojë, tha politikani i SPD-së, pas takimit me kryeministrin kosovar Albin Kurti në Prishtinë. Kancelari vlerësoi qëndrimin e qartë të Kosovës për luftën në Ukrainë dhe i drejtoi fjalë paralajmëruese qeverisë serbe, e cila ruan lidhjet e saj të ngushta me Rusinë.
“Në kohët si këto sot, vlera e paqes dhe sigurisë na bëhet edhe një herë e më e qartë”, tha kancelari, duke iu referuar luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës. Kosova dhe Serbia do të duhet "të gjejnë një zgjidhje politike me një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme që kontribuon gjithashtu në stabilitetin rajonal".
Konflikti mes Serbisë dhe Kosovës nuk është zgjidhur prej vitesh dhe po pengon perspektivat e anëtarësimit të dy vendeve ballkanike në BE. Qeveria në Beograd nuk e njeh ish-krahinën jugore serbe të Kosovës si shtet të pavarur. “Serbia po bllokon zgjidhjet që ne ofrojmë”, tha Kurti, duke iu referuar përpjekjeve për ndërmjetësim. Ai iu referua, për shembull, mosmarrëveshjes për furnizimin me energji të komuniteteve në veri të Kosovës.
"Evropa është fati ynë"
Kurti njoftoi se qeveria e tij do të dorëzojë një kërkesë në Bruksel më së vonë këtë vit, për marrjen e statusit të kandidatit për në BE. "Evropa është fati ynë. Evropa është e ardhmja jonë", tha kreu i qeverisë së Kosovës. Kosova tash e sa vite ka vetëm statusin e kandidatit “potencial” për anëtarësim në BE. Përveç Serbisë, pesë qeveri të BE-së nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës, sepse nuk duan të mbështesin lëvizjet secesioniste: Greqia, Rumania, Sllovakia, Spanja dhe Qiproja. Kjo bllokon rrugën drejt BE-së, sepse 27 shtetet anëtare duhet të vendosin unanimisht për statusin e kandidatit.
Kancelari do të takohet pasdite në Beograd me presidentin serb Aleksandar Vuçiq. Serbia mban lidhje të ngushta me Moskën. Ndryshe nga Kosova, vendi nuk i mbështet sanksionet e BE-së për shkak të luftës në Ukrainë. Scholz tha se në fund të fundit, çdo vend që dëshiron të bëhet anëtar i BE-së, si Serbia, duhet ta ketë të qartë se duhet të miratojë të gjitha rregulloret e komunitetit, përfshirë regjimin e sanksioneve. Asnjë vend në procesin e anëtarësimit nuk duhet "të ketë ndonjë iluzion për këtë," tha kancelari. “Rruga evropiane, është rruga drejt Europës”, tha ai, duke iu referuar kushteve të anëtarësimit në BE.
Kosova si “partner i besueshëm”
Nga ana tjetër, kancelari vlerësoi Prishtinën për çështjen e sanksioneve: “Duke mbështetur të gjitha masat dhe sanksionet, qeveria juaj ka treguar se Kosova është një partner i besueshëm për ne, duke qëndruar në anën e bashkësisë evropiane dhe ndërkombëtare”, tha Scholz. Ndalesat në vijim të udhëtimit të tij janë Greqia në mbrëmje, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut të shtunën. Temat qendrore janë perspektivat e BE-së dhe të shteteve të Ballkanit Perëndimor si dhe përpjekjet e Rusisë për të zgjeruar ndikimin e saj në rajonin e ish-Jugosllavisë.
Në Prishtinë, Scholz tha se thellimi i bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor është "veçanërisht i rëndësishëm" për të. Ai iu referua “procesit të Berlinit” që merret me këtë çështje dhe njoftoi se në vjeshtë do t´i ftojë personalitetet në një konferencë në Berlin. Scholz tha se donte t'u mundësonte partnerëve të punonin së bashku, si pjesë e këtij procesi.
Për sa i përket procesit të anëtarësimit në BE për shtetet e Ballkanit Perëndimor, kancelari pranoi se shpresat e vendeve për anëtarësim pothuajse ishin shuar. “Kjo është arsyeja pse është shumë e rëndësishme, të japim një shenjë të re shprese dhe besimi”, tha Scholz. BE-ja duhet të tregojë se ky proces i anëtarësimit është i dëshiruar dhe ta çojë atë përpara "me shpejtësi dhe energji të re".
Burimi: ntv.de, chf/AFP, Nga Gjermanishtja Sherif Ramabaja