Tashmë janë publikuar pamjet e darkës së liderëve të shteteve të Evropës Juglindore në Selanik të Greqisë ku të pranishëm ishin edhe kancelari gjerman Olaf Scholz dhe presidenti i Këshillit të BE-së Charles Michel.
Në darkën e organizuar në kuadër të Samitit të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) morën pjesë krejt liderët e rajonit, derisa Kosova u përfaqësua nga presidentja Vjosa Osmani.
Ajo që bie në sy në këto pamje është se Vjosa Osmani nuk ka pasë ndonjë muhabet me homologët e saj nga rajoni, por ka pasë një takim të shkurtër me kancelarin gjerman Olaf Scholz i cili më herët ishte në Prishtinë dhe Beograd e ku dha mesazhe të qarta.
Në ndërkohë është kryeministri shqiptar, Edi Rama, i cili si gjithmonë në këto ngjarje është një prej njerëzve që përfshihet në shumicën e diskutimeve mes të pranishmëve.
Ai është parë që ka muhabet të mirë me presidentin e Këshillit të BE-së, Charles Michel, me të cilin në shumë momente shihet duke diskutuar derisa pranë tyre ishte bashkuar edhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq.
Më pas Michel, Ramës e Vuçiqit iu ishte bashkuar edhe kryeminsitri i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski dhe presidenti i Malit të Zi Milo Gjukanoviq.
Në këto takime, të paktën sipas këtyre pamjeve, nuk është parë e pranishme presidentja kosovare Vjosa Osmani.
Në ndërkohë një fakt tjetër interesant ishte edhe ulja në tavolinën ku darkuan ku Vjosa Osmani është ulur në mes të kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe kryeministrit shqiptar Edi Rama, derisa përballë ka pasë presidentin serb Aleksandar Vuçiq i cili ishte në mes të kryeministrit të Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaqevski dhe presidentit të Malit të Zi Milo Gjukanoviq.
Në ndërkohë ishte nikoqiri, kryeministri i Greqisë Kyriakos Mitsotakis, i cili shihet se është përpjekur të shoqërohet me të gjithë pjesëmarrësit e kësaj darke.