​Kurti: Nuk duhet t’i harrojmë krimet e Serbisë por të kërkojmë të vendoset drejtësia

Aktuale

​Kurti: Nuk duhet t’i harrojmë krimet e Serbisë por të kërkojmë të vendoset drejtësia

Më: 11 qershor 2022 Në ora: 11:22
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se krimet e Serbisë në Kosovë nuk duhet harruar asnjëherë dhe duhet kërkuar drejtësi e kërkim falje.

Derisa ka folur në konferencën e Lidershipit në Ballkan “Paqja, Siguria dhe Zhvillimi në Ballkanin Perëndimor”, të organizuar nga Federata Universale e Paqes, Kurti tha se duhet të bëhet pranimi i krimit në mënyrë që të arrihet pajtimi.

Kurti: Nuk duhet të harrojmë krimet e Serbisë por të kërkojmë drejtësi e kërkim falje 

“Gjithçka do të kishte rrjedh tjetër sikur kreu politik dhe ushtarako policor i Beogradit të mos impononte politikën agresive e gjenocidale ndaj shqiptarëve. Për pasojë ndodhi krimi i vazhdueshëm i Serbisë që dëmtoi të dy popujt dhe shkaktoi tragjedinë e katastrofën humanitare të cilën duhet kurrë të mos e harrojmë por të kërkojmë që të vendoset drejtësia e të bëhet kërkim-falja e pranimi i krimit, në mënyrë që të arrihet pajtimi”, tha Kurti.

Kryeministri i Kosovës tha se ëndrrat për paqe të qëndrueshme shihen aty ku janë përjetuar ankthet e paharrueshme të luftës.

Kurti: Ëndrrat më të mira për paqe shihen aty ku janë përjetuar ankthet luftës 

“Ëndrrat më të mira për paqe të drejtë, të qëndrueshme e të pacenueshme shihen atje kur janë përjetuar ankthet e paharrueshme të luftës. Njerëzit tanë janë të etur dhe të dëshiruar për siguri dhe zhvillim të drejtë e gjithëpërfshirës, por koha që po jetojmë dhe konteksti gjeopolitik, gjeokonomik e gjeostrategjik rreth nesh dhe drejt nesh duhet se nuk janë aq mirë e premtues për një paqe të vërtetë, të drejtë e të qëndrueshme. Paqen e brishtë aktuale dhe paqen e qëndrueshme perspektive e rrezikojnë edhe sot tendencat për konflikt të ngrirë, tendencat për bllokim të gjithanshëm të proceseve të normalizimit, zhvillimit, demokratizimit, afrimit, bashkëpunimit e integrimit si brenda secilit vend ashtu edhe në dimensione euroatlantike e globale, e gjithë kjo për ndërmarrje revanshiste e prapakthyese”, tha Kurti. 

Konferenca ka bërë bashkë udhëheqës të shquar nga vendet e Ballkanit, institucionet rajonale dhe vendet evropiane.

Kjo konferencë organizohet nga Federata Universale e Paqes (UPF), në partneritet me Agjencinë e Lajmeve KosovaPress, Washington Times Foundation, Shoqatën Ndërkombëtare të Mediave për Paqe (IMAP), dhe Shoqatën Ndërkombëtare të Rinisë dhe Studentëve për Paqe (IAYSP).

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat