Kryeziu: Në vitin 2017 Serbia ishte vendi i parë nga ku importonim, sot është i katërti

Aktuale

Kryeziu: Në vitin 2017 Serbia ishte vendi i parë nga ku importonim, sot është i katërti

Më: 11 qershor 2022 Në ora: 15:00
Përparim Kryeziu

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka reaguar pas raportimeve se që nga viti 2019 e deri më 2021-ën importi i mallrave serbe në Kosovë është rritur për 300 milionë uero.

Ky i fundit në një postim në Facebook shkruan se në vitin 2019 ndonëse ishte vendosur taksa 100% në raftet e marketeve kishte ende mallra serbe.

“Një javë i krahasojnë importet nga Serbia me vitin 2020 kur kishte masa të theksuara kufizimesh sa që shkaku i pandemisë edhe kufinjtë u patën mbyllë. E kur nuk u duket e mjaftueshme, i krahasojnë me vitin 2019 kur ishte vendosur tarifa 100%. Atë vit, së paku zyrtarisht importi kishte rënie, por raftet e marketeve vazhdonin të ishin të mbushura me mallra serbe, meqë çka më parë futej zyrtarisht, kishte filluar të hynte si kontrabandë”, shkruan ai.

Tutje Kryeziu shkruan se po të krahasohet importi me vitit 2017 dhe 2018 atëherë do të shihet se ka rënie nga importet serbe në Kosovë.

“por, assesi nuk i sheh tek bëjnë krahasime me vitet 2018 apo 2017, vite normale të shkëmbimeve tregtare. Sepse pastaj do të detyroheshin të flisnin për rënie reale të importit nga Serbia për rreth 32%, respektivisht 20% – edhe pas rritjes së gjithëmbarshme të importit, rritjes së inspektimeve dhe inkasimit të doganave si dhe mbylljes së rrugëve jo-legale që përdoreshin për kontrabandë, sidomos në veri të vendit. Në vitin 2017, Serbia ishte në vendin e parë prej nga ne importonim, ndërkaq në vitin 2021 dhe këtë vit zë vendin e katërt.”

“Në të njëjtën kohë, rrallë herë flasin për rritjen e vazhdueshme të shkëmbimeve tregtare, në veçanti me vendet mike si Gjermania, Turqia, e Shqipëria. Aq më pak për rritjen e vazhdueshme të shkëmbimit tregtar me Shqipërinë. Në Shqipëri e nga Shqipëria, ne sot eksportojmë dhe importojmë më shumë se çdo herë më parë”, përfundoi ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat