Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka thënë se sot duhet që t’ua përkujtojë disave, duke aluduar në krerët e institucioneve, për ndihmën e jashtëzakonshme, sipas saj, që ka dhënë Shqipëria për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Ajo tha se sentimentet dhe preferencat personale pushojnë në momentin kur pranohet funksioni shtetëror, teksa shtoi se raportet mes Kosovës e Shqipërisë janë më të thella se çdo mospajtim i përkohshëm.
“Ne mund të mos pajtohemi me Kryeministrin Rama rreth 1 çështje, por pajtohemi për 99 tjera. Kam qenë vet dëshmitare e shumë situatave jo të lehta për Kosovën, dhe e kam parë me sytë e mi, edhe e kam dëgjuar me veshët e mi, mbështetjen që i jep Kryeministri Rama Kosovës. Dorën në zemër, shpesh edhe me më shumë elokuencë se ne vet”.
“Pastaj, është për keqardhje që sot, në ditën e çlirimit të Kosovës po duhet me u’a përkujtu disave ndihmën e jashtëzakonshme që e ka dhënë Shqipëria për lirinë dhe pavarësinë tonë”, ka shkruar Çitaku.
Ajo u ka bërë thirrje krerëve të institucioneve në Kosovë që të mos krijojnë armiq të paqenë e as të mos krijojnë gogola.
Kujtojmë se mbrëmë presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka postuar disa fotografi nga forumi SEECP, ku në njërën prej tyre figura e kryeministrit shqiptar nuk shihej e plotë gjë që ngjalli debat për raportet mes tyre.