Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla në një postim në Facebook ka uruar të gjithëve shqiptarëve ditën e ҫlirimit të Kosovës.
Ajo shkruan se pa mbështetjen e të gjithë shqiptarëve anembanë botës dhe pa ndihmën e pazëvendësueshme të partnerëve tanë ndërkombëtarë, nuk mund të arrihej mrekullia e para 23 vjetëve.
“Në ditën e çlirimit të Kosovës kujtojmë edhe të gjithë ushtarët e NATO-s dhe KFOR-it, të cilët kontribuan fillimisht në çlirimin e Kosovës dhe më pas në paqen dhe stabilitetin e saj”, shkruan Gërvalla.
Postimi i plotë:
Të gjithë shqiptarëve anembanë, urime dita e çlirimit të Kosovës.
Mrekullia e para 23 vjetëve nuk mund të arrihej pa një sakrificë të jashtëzakonshme të vet Kosovës, pa mbështetjen e të gjithë shqiptarëve anembanë botës dhe pa ndihmën e pazëvendësueshme të partnerëve tanë ndërkombëtarë.
Në një ditë si kjo i kujtojmë të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë e Kosovës, ata që luftuan pa u ndalur me përkushtim dhe sakrificë të jashtëzakonshme, të gjithë ata që kontribuan në të gjitha format për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Në ditën e çlirimit të Kosovës kujtojmë edhe të gjithë ushtarët e NATO-s dhe KFOR-it, të cilët kontribuan fillimisht në çlirimin e Kosovës dhe më pas në paqen dhe stabilitetin e saj. Nderimi dhe mirënjohja jonë për ata ushtarë, të cilët gjatë këtij misioni fisnik humbën jetën, do të jetë i përjetshëm.
12 qershori duhet të na përkujtojë gjithmonë se sa i rëndësishëm është zhvillimi dhe forcimi i Republikës së Kosovës.