Ish-ministri i Bujqësisë, tash deputet në Kuvendin e Kosovës, Besian Mustafa e ka akuzuar për thurje të teorive konspirative, Hekuran Muratin, ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, në një reagim ndaj deklarimeve të ministrit Murati kundër uljes së akcizës dhe TVSH-së së naftës, e ka quajtur “paranojak” ministrin e Financave.
“Ministri i financave, në vend që të ofrojë zgjidhje për t’i përkrahur qytetarët me këto çmime të papërballueshme, paska hyrë në teori konspirative, fajësim të gjithkujt përveç pasivitetit të tij dhe gjueti shtrigash”, ka thënë Mustafa.
“Qytetarët nuk kanë nevojë për përgjumjet plot paranojë të ministrit por kanë nevojë për ZGJIDHJE! Leni paranojat, veproni!”, është shprehur Mustafa.
Qeveria e Kosovës ka kundërshtuar kërkesën e parashtruar nga opozita dhe Shoqata e Naftëtarëve për reduktimin e akcizës dhe TVSh-së së naftës.
Ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë se ulja e akcizës dhe TVSh-së së naftës nuk do t’i kontribuonte qytetarëve, por do t’i krijonte mundësi fitimi më të mëdha tregtarëve të naftës.
Sipas Muratit, reduktimi i akcizës dhe TVSh-së së naftës nuk përkthehet domosdoshmërish në ulje të çmimeve.