Kuvendi miraton në parim Projektligjin për pagën minimale

Aktuale

Kuvendi miraton në parim Projektligjin për pagën minimale

Më: 14 qershor 2022 Në ora: 06:58 Përditësuar në ora: 16:15 më 14.06.2022
Kuvendi i Kosovës

​Kuvendi miraton katër Projektligje në lexim të dytë

Kuvendi i Kosovës ka miratuar katër Projektligje në lexim të dytë, gjatë seancës së sotme plenare.

Deputetët e mazhorancës i dhanë dritë të gjelbër, Projektligjit për provimin e jurisprudencës, Projektligjin për pijet e forta alkoolike, Projektligjin për krijimin e infrastrukturës kombëtare të informacionit hapësinor në Kosovë, si dhe Projektligjin për mbeturinat nga industritë nxjerrëse të mineraleve. Për këto projektligje deputetët e partive opozitare u përmbajtën nga votimet. 

Krahas kësaj, të zgjedhurit e popullit, themeluan edhe komisionin ad-hoc për përzgjedhjen e një anëtari të komunitetit shqiptar në Bordin e Radio Televizionit të Kosovës.

Ndërsa me vota unanime u rikthye në komisionin për ekonomi, Projektligji për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës.

​Kuvendi i Kosovës zgjodhi katër zëvendës të Avokatit të Popullit

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë zgjedhur katër zëvendës të Avokatit të Popullit, ndërsa zgjedhja e një anëtari nga komuniteti jo shumicë ka dështuar.

Deputetët me anë të votës zgjedhën, Anita Çavdarbashën, Majlinda Sinani, Niman Hajdari dhe Basri Kastrati, zëvendës Avokat të Popullit. 

Në votim morën pjesë 72 deputetë, ndërsa pesë fletëvotime ishin të pavlefshme.

Në mungesë kuorumi, nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci mbylli punimet e seancës së sotme. Ndërsa si pikë e vetme e papërfunduar mbeti zgjedhja e një anëtari të Komisionit të Pavarur për Media. 

​Kuvendi emëron Komisionin për Mbrojtjen e Konkurrencës

Kuvendi i Kosovës ka emëruar Komisionin për Mbrojtjen e Konkurrencës, që i hap rrugë funksionalizimit të Autoritetit të Konkurrencës. Pro emërimit të këtij komisioni votuan vetëm deputetët e mazhorancës, ndërsa partitë opozitare u përmbajtën nga votimi.

Duke paraqitur këtë komision, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se kanë bërë përpjekje që Kuvendit t’i propozojnë kandidatët e përgatitur profesionalisht, me integritet moral, mirëpo edhe me më shumë gra të përfshira në pozita vendimmarrëse. 

Kurti: Kemi bërë përpjeke që Kuvendit t’i propozojmë kandidatë të përgatitur profesionalisht

“Autoriteti i Konkurrencës është institucion publik shumë i rëndësishëm për të mbrojtur konkurrencën e lirë dhe efektive në vend. Një institucion i cili ka qëllim të mbrojë konkurrencën si një e mirë publike e që i shërben të mirës së përgjithshëm. Andaj duke marrë parasysh rëndësinë e këtij autoriteti, ne si Qeveri kemi bërë përpjeke që Kuvendit t’i propozojmë kandidatë të përgatitur profesionalisht dhe integritet moral për Komisionin e Mbrojtjes së konkurrencës. Disa funksione të larta shtetërore kërkojnë dije dhe vendosmëri, por gjithsesi edhe më shumë gra të përfshira në pozita vendimmarrëse”, tha ai. 

Vërejtje për emrat e propozuar nga Qeveria, paraqiti deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku. 

Bunjaku: Kemi vërejte në procedurë dhe emrat e propozuar.

“Qytetarët e Kosovës janë dëmtuar më shumë se 1 vit në mungesë të Autoritetit të Konkurrencës dhe tani nuk është arsyetim vetëm pse janë gra dhe patjetër duhet. Ne kemi vërejte në procedurë dhe emrat e propozuar. Prandaj ne si LDK dhe GP nuk do të marrim pjesë në votim”, theksoi ajo. 

Kritika paraqiti edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, i cili pati edhe një epitet për Qeverinë Kurti. 

Tahiri: Qeveria Kurti më e ngadalshmja dhe më e dobëta në marrjen e vendimeve 

“Është Qeveria që do të jetë në histori, si qeveria më e ngadalshme dhe më e dobët në marrjen e vendimeve për gjithçka. Autoriteti i Konkurrencës është jo funksional qysh prej 9 qershorit të vitit të kaluar dhe ky kryeministër nuk ka mundur të sjell 5 emra për me bërë një komision që me zgjedh një trup që është e rëndësishme për ekonominë e vendit”, tha ai. 

Lidhur me vonesat për emërimin e këtij komisioni u pajtua edhe shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, mirëpo tha se emrat e propozuar nuk ofrojnë asnjë hapësirë për ta vënë në dyshim kredibilitetin dhe performancën e këtij autoriteti në të ardhmen. 

Kusari-Lila: Pajtohem se vonesa është evidente

“Pajtohem se vonesa është evidente, mirëpo emrat që i kemi përpara nuk ofrojnë hapësirë që ne të vëmë në dyshim kredibilitetin, performancën apo të ardhmen e këtij autoriteti”, tha ai. 

Komisionin për Mbrojtjen e Konkurrencës e përbëjnë katër gra dhe një burrë. Kryesuese e Komisionit është Neime Binaku-Isufi, zëvendëskryetare, Kaltrina Sela, ndërsa Violeta Blakaj - Spaçi, Nafije Osdautaj dhe Besim Stublla janë anëtarë.

Kuvendi emëron anëtarët e Bordit të AKK-së

Kuvendi i Kosovës ka emëruar bordin e Autoritetit të Konkurrencës së Konkurrencës AKK-së.

Ky bord do të përbëhet nga Neime Binaku-Isufi, kryetare, Kaltrina Sela, nënkryetare, Violeta Blakaj Spaçi, Besim Stublla, Nafie Nosdautaj – anëtarë.

63 deputetë votuan pro këtij bordi, ndërkaq ishte edhe një asbtenim.

Opozita nuk ka votuar pasi ka pasur vërejte për emrat në këtë bord.

Që nga 9 qershori 2021, AKK-ja ishte pa konkurrencë. 

Tash ky institucion do ta ketë bordin dhe ligjërisht i lejohet të ndëshkojë kompanitë që kurdisin çmime. 

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim Projektligjin që përcakton pagën minimale

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim me 68 vota Projektligjin që i hap rrugë rritjes së pagës minimale. “Pro” votuan deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Listës Serbe, kurse deputetët nga komunitetet e tjera jo shumicë abstenuan, ndërsa opozita nuk mori pjesë fare në votim.

Paraprakisht, shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri kërkoi që ky projektligj të tërhiqet nga rendi i ditës.

Tahiri: Të tërhiqet Projektligji që përcakton pagën minimale

Kishte me qenë shumë e mençur dhe profesionale edhe llogaridhënëse që ky ligj të tërhiqet prej ministrit Murati dhe të ulemi dhe diskutojmë ndërlidhjen dhe votimin që e kemi bërë për skemën sociale dhe të ecim tutje. Kjo është një kërkesë legjitime dhe minimale për gjitha debatet që i kemi pas. Kjo nuk ka të bëjë me ndonjë pozicion opozitar dhe politik, por me koncept të aspektit të pagës minimale dhe reformës sociale”, tha ai.

Krahas kësaj, deputetët miratuan edhe Projektligjin për ndarjet buxhetore për Buxhetin e Kosovës për vitin 2022.

Mblidhet Kuvendi, në rend dite pikët e papërfunduara në seancat e kaluara

Në Kuvendin e Kosovës do të vazhdojë seanca plenare.

Kjo seancë pritet të fillojë në ora 13 dhe në rend dite do të jenë pikat e papërfunduara në seancat e kaluara.

Rendi i ditë

Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 5, 11, 13 maj dhe 6 qershor 2022:

5.Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-142 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore,

Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-143 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.08/L-066 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2022,

Emërimi i Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës,

Formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga komuniteti shqiptar.

Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, mbajtur më 26 maj dhe 6 qershor 2022:

Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr. 08/L-033 për provimin e jurisprudencës,

Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr.08/L-052 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.05/L-010 për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës,

Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-070 për Pijet e Forta Alkoolike,

Shqyrtimi i dytë i Projektligjit 08/L-010 për Krijimin e Infrastrukturës Kombëtare të Informacionit Hapësinor në Republikën e Kosovës,

Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-027 për Mbeturinat nga industritë nxjerrëse të mineraleve,

Zgjedhja e pesë (5) zëvendësve të Avokatit të Popullit,

Zgjedhja e një (1) anëtari të Komisionit të Pavarur për Media.​

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat