Xaje Mustafa nga Mitrovica, ka rrëfyer momentet kur është shkrepur fotografia ku ai ishte personazh kryesor gjatë luftës e që u publikua në shumë media botërore.
Nën emocione, Mustafa ka treguar në emisionin “Info Nata” se fotoja është realizuar gjatë kalimit të kufirit me Shqipërinë, kur po i dëbonin forcat serbe.
Ai thotë se dy fëmijët që shihen në foto, janë fëmijët e tij për të cilët thotë se i kishte ardhur lajmi se kishin vdekur.
“Një kohë e gjatë, kjo është vuajtje shumë e madhe dhe dhimbje, këto dy foto të fëmijëve më kanë qëlluar në kuletë unë kam qenë në burg kur jam dalë prej burgu, na qitën prej burgu, na dërgonin për Shqipëri kur shkuam te kufiri, aty ushtria serbe edhe policia filluan të na kontrollonin, maltretonin, grushtonin në atë mënyrën siç ata dinë dhe erdhi puna që çdo dokument që kishim na gjuajtën në shport dhe fotografitë e fëmijëve”, tha ai.
Tutje, ai rrëfen se pas shumë tentimeve të tij për mos t’i lënë fotografitë në duart e forcave serbe, pësoi shumë maltretime.
“Dhe i thashë se dua t’i marr, ata më thanë po pse çka po të duhen këto nuk ekzisotjnë, i kemi vrarë por thashë tek i keni vrarë. Po du me i marrë me i mbajtë le të jenë afër meje. Tri herë, katër herë mi kanë gjuajtur në shportë dhe aty kanë nisur maltretimet e pandalshme nuk dija dhe me ujë valë më kanë gjuajtur me mi qorru sytë që mos me i pa fëmijët”, shtoi ai.
Po ashtu, ai tregon edhe momentin që u realizua fotografia që u bë virale në gjithë botën – pas të cilës thotë se i kishte humbur vetëdija.
“Fotoja u bë pasi që shumë disa shokë të mi të burgut janë dalë disa gazetarëve që më kanë ndalë dhe maltretuar për foto të fmijëve dhe aty më kanë pritë 60 gazetarë të huaj për me u marrë vesh pse po më maltretojnë dhe vendosa që mos me i lënë. Kur kam dalë jashtë kufirit më ka përgatit një gazetar amerikan ai i ka prek me dorë të veten ai ma ka ofru kështu pasi që me të than diku 20 min që u kry fotoja mua më ka humbur vetëdija dhe më pas për një kohë shumë të gjatë nuk kam ditur se çka po bëhet”, shtoi ai.