Sikurse mbrojtja e viktimave, edhe Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), ka kërkuar nga gjyqtari i procedurës paraprake që të refuzohet kërkesa e datës 1 qershor e mbrojtjes së Kadri Veselit për të apeluar vendimin e tretë për pjesëmarrjen e viktimave.
Ndryshe, më 25 maj 2022, gjyqtari i procedurës paraprake nxori Vendimin e Tretë për Pjesëmarrjen e Viktimave dhe pranoi 12 viktima si pjesëmarrës në rastin ndaj Veselit, Hashim Thacit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit.
Sipas ZPS-së, kërkesa për leje për ankesë ndaj Vendimit duhet të refuzohet sepse nuk i plotëson kriteret për leje për ankesë sipas nenit 45 të Ligjit dhe rregullit 77 të Rregullores.
“Asnjë nga katër çështjet nuk përbën çështje të apelueshme. Mbrojtja gjithashtu nuk arrin të vërtetojë se si plotësohen kriteret e tjera të lejes për ankim”, thuhet nga prokuroria.
Prokuroria ka pretenduar se duke marrë parasysh testin kumulativ, mbrojtja dështon të artikulojë siç duhet – çështje pas çështje – se si çdo çështje plotëson standardin e lejes për apelim.
“Në të vërtetë, Mbrojtja argumenton përgjithësisht se çështjet plotësojnë kriteret, por nuk arrin të demonstrojë se si secila nga çështjet i plotëson të reja aspektet, në vend të kësaj trajton ndikimin e tyre të supozuar në procedurë krejtësisht dhe pa dallim”, thuhet në shkresë, ku sipas tyre, ky dështim vetëm justifikon hedhjen poshtë.
Sipas prokurorisë, më tej, përderisa disa nga çështjet, në veçanti, çështja e katërt nuk kanë të bëjnë me gabime ligjore, kërkesa bie pjesërisht në kundërshtim me Rregullën 113(6) dhe pjesë të tilla nuk kanë bazë ligjore. Sipas ZPS-së, çështjet e parashtruara nga mbrojtja e Veselit nuk janë të apelueshme.
Tutje, thuhet se veçanërisht, tre nga çështjet bazohen në dështimin e supozuar të gjyqtarit të procedurës paraprake për të adresuar argumentet e mbrojtjes. Sipas prokurorisë, megjithatë, gjyqtarit të procedurës paraprake nuk i kërkohet të artikulojë çdo hap të arsyetimit të tij dhe të diskutojë çdo parashtrim.
“Prandaj, këto çështje, pa më shumë, janë të pamjaftueshme për të demonstruar një çështje të apelueshme. Në çdo rast, në lidhje me çështjen e parë dhe në kundërshtim me parashtrimin e mbrojtjes, gjyqtari i procedurës paraprake shpjegoi në një farë mënyre faktorët dhe detyrimet e ndryshme që ai kishte marrë në konsideratë sipas kuadrit ligjor të Dhomave të Specializuara ,duke përfshirë Rregullat 80 dhe 113, dhe adresuar parashtresat e mëparshme të Mbrojtjes për këtë çështje. Prandaj, çështja e parë thjesht pasqyron mospajtimin e mbrojtjes me gjetjet e gjyqtarit të procedurës paraprake në Vendim dhe praktikën gjyqësore të mëparshme relevante të Dhomave të Specializuara”, pretendon prokuroria.
Po ashtu, thuhet se në mbështetje të çështjes së dytë, mbrojtja ngre të njëjtat argumente tashmë të shqyrtuara dhe të hedhura poshtë nga gjyqtari i procedurës paraprake, pa demonstruar ndonjë gabim dhe në këtë mënyrë duke shprehur thjesht mospajtim me gjetjet e gjyqtarit të procedurës paraprake.
“Mbrojtja në mënyrë të gabuar deklaron se Vendimi ka ‘dështuar në adresimin’ e kësaj çështjeje. Në fakt, gjyqtari i procedurës paraprake shqyrtoi shprehimisht argumentet e mbrojtjes, përfshirë jurisprudencën e cituar nga Mbrojtja, dhe i hodhi poshtë argumentet e mbrojtjes për këtë çështje. Thjesht konkludimi se qasja e gjyqtarit të procedurës paraprake ka shkelur ligjin kushtetues dhe të njohur ndërkombëtar për të drejtat e njeriut, është i pamjaftueshëm për të identifikuar dhe vërtetuar një çështje të apelueshme”, thuhet nga ZPS-ja.
Për çështjen e tretë është thjesht spekulative pasi ka të bëjë me procedurat hipotetike civile para gjykatave të tjera.
“Për më tepër, shkalla në të cilën gjykatat e tjera mund të mbështeten në përcaktimet për statusin e viktimës në një vendim të formës së prerë të Dhomave të Specializuara është me të drejtë një çështje e atyre gjykatave. Kjo përfshin përcaktimin e çdo paragjykimi ndaj të akuzuarit që mund të rezultojë nga anonimiteti i pretenduesve në procedurën civile. Në rrethana të tilla, Mbrojtja thjesht nuk pajtohet me trajtimin e këtyre argumenteve spekulative dhe të parëndësishme nga ana e gjyqtarit të procedurës paraprake, të cilat u përmendën shprehimisht në Vendim”, thotë shkresa.
Sipas tyre, çështja e katërt ngre një shqetësim abstrakt dhe hipotetik, pa identifikuar ndonjë gabim në arsyetimin e gjyqtarit të procedurës paraprake lidhur me viktimat specifike të përfshira në Vendim.
“Mbrojtja nuk arrin të identifikojë një çështje të apelueshme në kontekstin e arsyetimit të gjyqtarit të procedurës paraprake. Për arsye të ngjashme, dhënia e lejes për apelim për ndonjë nga çështjet nuk do të avansonte materialisht procedurat”, thuhet në shkresë, duke shtuar se përkundrazi, vetëm do të vonoheshin procedurat.
Ndryshe, më 29 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.
Prokuroria po pretendon se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Në aneksin e publikuar sa i përket krimeve që pretendohen se ndodhën në Seminishtë dhe Budakovë, prokuroria ka listuar krimet e luftës si arrestimi dhe ndalimi i paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor ose çnjerëzor, torturë, vrasje. Ndërkaq, si krime kundër njerëzimit i ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen, zhdukjen me forcë e personave dhe persekutimin.
Kurse, për krimet që pretendon që ndodhën në Gjilan, si krime lufte i ka listuar arrestimi dhe ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor ose çnjerëzor, torturën dhe vrasjen. Ndërsa, si krime kundër njerëzimit ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen, dhe persekutimin.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.
Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.
Sipas akuzës, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.
“Ndër këta kundërshtarë përfshiheshin persona që ishin, ose që konsideroheshin se kishin qenë: (a) bashkëpunëtorë ose të lidhur me forca, zyrtarë ose institucione shtetërore të RFJ-së, ose që (b) ndryshe nuk mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, ndër të cilët persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera (bashkërisht, ‘kundërshtarët’). Ky qëllim i përbashkët përfshinte krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave”, thuhet në aktakuzë.
Tutje, në aktakuzë përmenden edhe Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe Sabit Geci.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit bashkë me udhëheqësit tjerë të UÇK-së kontribuuan në arritjen e qëllimit t përbashkët.
“Si alternativë, disa ose të gjithë këta individë nuk ishin anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët, por u përdorën nga anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët për të kryer krime për realizimin e qëllimit të përbashkët (së bashku me anëtarët e NKP-së, bashkërisht ‘anëtarët dhe instrumentet e NKP-së’)”, thotë akti akuzues.