Shefi i grupit parlamentar të PDK-së Abelard Tahiri ka kritikuar ashpër Mimoza Kusari-Lila nga Lëvizja Vetëvendosje pas akuzave të saj se Lista Serbe ishte ftuar për të votuar në Kuvend projektligjin për paga nga i cili përjashtohen pensionet e kategorive të dala nga lufta e UÇK-së.
“Ta barazosh atë çfarë përfaqëson një veteran i UÇK-së me një përfaqësues politik të Listës Serbe, është fyerje që tejkalon çdo mirëkuptim politik dhe për të cilën, Mimoza Kusari do të duhej të ndjehej e turpëruar e të mos dilte më kurrë në foltoren e Kuvendit, po aq sa një fyerje të cilën s’do të duhej ta toleronte pa përgjegjësi as Albin Kurti që fshihet pas saj”, ka shkruar Tahiri në Facebook.
Për më tepër, Tahiri e ka quajtur pushtetin aktual të padenjë, në vendin e çliruar me gjak e sakrificë, pikërisht nga veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Pa fije turpi në konferencë për shtyp, Mimoza Kusari e ka fyer hapur edhe kauzën për çfarë veteranët e UÇK-së kanë protestuar, kur tha që i kishte thënë Listës Serbe se a do të protestonte bashkë me veteranët e UÇK-së kundër këtij ligji. Kjo është deklarata më e rëndë e bërë nga një politikan shqiptar në 20 vjetët e fundit kundër veteranëve, UÇK-së dhe kundër kauzës tonë kombëtare për të cilën janë sakrifikuar këta veteranë”, ka thënë ai.
Postimi i plotë:
Mimoza Kusari, asnjëherë nuk ka përfaqësuar më shumë se tellallin e kujtdo që ja garanton karrigen, por e turpshme duhet të jetë mbajtja e asaj karrigeje në këto rrethana, kur pushteti të cilit ajo i shërben e të cilin mundohet ta arsyetojë duke akuzuar të tjerët, e legjitimon qasjen antiUÇK, së bashku me Listën Serbe, pikërisht në kohën kur qytetet e Kosovës e kujtojnë çmimin e shtrenjtë që kemi paguar për liri para 23 vitesh, duke fyer kështu ndjenjën kombëtare me protagonistë Vetëvendosjen dhe Listën Serbe.
E sikur të mos mjaftonte kjo, pa fije turpi në konferencë për shtyp, Mimoza Kusari e ka fyer hapur edhe kauzën për çfarë veteranët e UÇK-së kanë protestuar, kur tha që i kishte thënë Listës Serbe se a do të protestonte bashkë me veteranët e UÇK-së kundër këtij ligji. Pa asnjë dyshim se kjo është deklarata më e rëndë që është bërë nga një politikan shqiptar në 20 vitet e fundit, kundër veteranëve, kundër UÇK-së dhe kundër kauzës tonë kombëtare për të cilën janë sakrifikuar këta veteranë. Ta barazosh atë çfarë përfaqëson një veteran i UÇK-së me një përfaqësues politik të Listës Serbe, është fyerje që tejkalon çdo mirëkuptim politik dhe për të cilën, Mimoza Kusari do të duhej të ndjehej e turpëruar e të mos dilte më kurrë në foltoren e Kuvendit, po aq sa një fyerje të cilën s’do të duhej ta toleronte pa përgjegjësi as Albin Kurti që fshehët pas saj.
Kjo është e vërteta e thjeshtë dhe e pafalshme për këtë pushtet të turpit e këta pushtetarë të padenjë për pushtet, në një vend të çliruar me gjak e sakrificë, pikërisht nga veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.