Anulimi i Festivalit Sunny Hill në Prishtinë dhe zhvendosja e tij në Tiranë po vazhdon të merr reagime të tjera.
Eugen Cakolli nga KDI ka thënë se mos mbajtja e festivalit është një humbje e investimeve dhe mundësive si shtet.
“Prishtina nuk po e humb vetëm Sunny Hill-in si festival. Po e humb edhe imazhin e një qendre për aktivitete kulturore – imazh për të cilin është punuar shumë. E gjithë kjo si rezultat i një vonese të turpshme e krejt absurde të institucioneve qendrore, që në vend se ta kryejnë këtë procedurë më me nxitim se zakonisht, për inate politike e zvarrisin dhe e dështojnë atë”, ka shkruar ai në Facebook.
“Për ta reduktuar këtë situatë në çështje parcele komunale është shkurt-pamësi. Vendet tjera do të jepnin shumëçka vetëm që kenë mundësi të negociojnë për ta pasur Sunny Hill-in. Kështu kemi humbur shumë investime e mundësi si shtet. Kjo situatë duhet të marrë fund. Një herë e përgjithmonë!”, ka shtuar ai.