Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj, vlerëson se kryeministri i vendit, Albin Kurti, duhet ta kuptojë se dialogu me Serbinë është një temë të cilës nuk mund t’i ikë, duke shtuar se ‘status quo’-ja i konvenon vetëm Serbisë.
“Herët a vonë do ta kuptojë se është një temë të cilës nuk mund t’i ikë, dhe do ta kuptojë se nëse ka ardhur dikush në tavolinë për të mos bërë marrëveshje ajo është Serbia. Dhe Kosova nuk duhet ta bëjë gabimin e njëjtë metodik”, tha Hoxhaj.
Ai në Rubikon, deklaroi se Kosova e ka ushtruar më shumë sovranitetin e saj në vitet 2014 dhe 2017 sesa tash.
“Në këto pesë vitet e fundit elitat nuk i kanë besuar dhe nuk i besojnë dialogut. Mediat nuk e shohin dialogun si shumë të rëndësishëm dhe jetik për ta përmbyllur shtetndërtimin e Kosovës dhe për ta ngritur flamurin e OKB-së, qytetarët e Kosovës, një pjesë e tyre, mendojnë se jemi në rregull, se jetojmë më mirë, kemi liri më shumë. Shqetësimi im është se ky vend ka pasur shumë më shumë sovranitet në vitin 2014 dhe 2017 sesa ka sot – e kemi ushtruar më shumë – ne nuk matemi me numrin e njohjeve dhe anëtarësimin e Kosovës në organizata të ndryshme”.
“Nëse e shohim se si ushtrohet në baza vjetore, numrin e vizitave bilaterale, numrin e marrëveshjeve bilaterale, numrin e njohjeve, numrin e anëtarësimeve, në vendin që e ka Kosova në rajon dhe Evropë, mendoj se kemi më pak sovranitet që kemi pasur në vitin 2017”, shtoi Hoxhaj.
Sipas ish-ministrit të Jashtëm, ndryshimi i gjeopolitikave si rezultat i luftës në Ukrainë ka krijuar një momentum të ri për dialogun Kosovë-Serbi.
“E shoh si jetike Ukrainën, ringjalljen e Perëndimit, fokusin e ri amerikan në raport me Ballkanin, fokusin gjerman në raport me Ballkanin. Fokusi gjerman në raport me Ballkanin është shumë i matshëm, nuk ka pasur deklaratë të ndonjë kancelari gjerman, as sa unë kam qenë ministër i Jashtëm, që Serbia dhe Kosova duhet të arrijnë marrëveshje për njohje të ndërsjellë. E tha Scholz për ata që kanë vesh dhe e dinë çfarë po flasin është momentum i ri”, përfundoi Hoxhaj.