Asamblistët e VV-së akuzojnë kryetarin Rama për dështimin e Sunny Hill

Aktuale

Asamblistët e VV-së akuzojnë kryetarin Rama për dështimin e Sunny Hill

Më: 14 qershor 2022 Në ora: 22:18
Foto ilustrim

Grupi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës e ka quajtur lajm jo mirë vendimin e organizatorëve që edicioni i sivjetmë i festivalit “Sunny Hill” të mos mbahet në Prishtinë dhe njëherësh që ai të zhvendoset në Tiranë.

Në një postim në Facebook, asamblistët e Vetëvendosjes thonë se përpjekjet e tyre që të mundësohet mbajtja e këtij festivali u injoruan në mënyrë arrogante nga kryetari i Prishtinës.

“Nga fillimi, ne si grup, i kemi ngritur shqetësimet dhe brengat tona, në mbledhjen e Kuvendit Komunal, në lidhje me dokumentacionin e pakompletuar dhe marrëveshjen e dëmshme të negociuar nga kryetari Përparim Rama. Kërkesat tona në raport me marrëveshjen e negociuar kanë qenë që prona të mos jepet për 99 vjet, por për një periudhë 15-20 vjet dhe që kjo hapësirë të mund të shfrytëzohet edhe për koncerte tjera që nuk janë të karakterit të njëjtë si Sunny Hill, si dhe të kryhen të gjitha procedurat administrative dhe plotësimi i dokumentacionit konform kërkesave ligjore”, thuhet në reagim.

Grupi i asamblistëve të VV-së thonë se “për shkak të mungesës së njohurive bazë të procedurave, refuzimit të bashkëpunimit dhe të ndihmës, si dhe qasjes arrogante dhe desktruktive të kryetarit milioner, qytetarët e Prishtinës dhe gjithë Kosovës po mbesin këtë vit pa këtë ngjarje të madhe kulturore”. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat