Daut Haradinaj nga AAK-ja ka folur rreth protestës së paralajmëruar nga veteranët për datën 16 qershor, për shkak të mos përfshirjes së tyre në projektligjin për pagën minimale, i cili u miratua sot në lexim të parë në Kuvend.
Ai sonte në emisionin Pressing të T7, ka thënë se protesta do të jetë gjithëpopullore.
“Edhe thirrja publike e imja është sa më shumë në protestë e sa më pak tendencë për të bërë gabime”, tha Haradinaj duke shtuar se protesta duhet të jetë paqësore.
Haradinaj ka treguar edhe format se si mund të plotësohen kërkesat veteranëve të UÇK-së.
“E para është amendamentimi, e dyta është tërheqja se qeveria ka të drejtë ta tërheqë, e treta mund të jetë ligj krejtësisht i veçantë për veteranët”, tha ai.
Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim Projektligjin që i hap rrugë rritjes së pagës minimale.
“Pro” votuan deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Listës Serbe, kurse deputetët nga komunitetet e tjera jo shumicë abstenuan, ndërsa opozita nuk mori pjesë në votim. Paraprakisht, shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri kërkoi që projektligji të tërhiqej nga rendi i ditës.