Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama po zhvillon një vizitë në Ukrainë me ftesë të presidentit Volodymyr Zelensky.
Ai me këtë rast ka vizituar zonat e bombarduara të Borodyanka dhe Irpin, në të cilat shihen dëmet e shkaktuara si pasojë e agresionit ushtarak rus ndaj Ukrainës.
Rama gjatë kësaj vizite po shoqërohet nga kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq.
Rama dhe Abazoviq udhëtuan mbi 12 orë me tren nga qyteti i Pshemishit, Poloni, nga ku u bë nisja për në Ukrainë.
Në këtë vizitë, kryeministri Rama shoqërohet edhe nga ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali.
Rama dhe Abazoviq do të vizitojnë edhe ekspozitën me dëshmi të luftës ruso-ukrainase.
Në vijim, kryeministri Rama dhe homologu i tij i Malit të Zi do të priten në takim nga Zelensky, takim që do të pasohet nga konferenca e përbashkët për shtyp.
Rama do të takojë gjatë ditës kryeministrin e Ukrainës Denys Shmyhal dhe kryetarin e Bashkisë Kiev, Vitali Klitschko.
Rama dhe Abazoviq mbërrijnë në Kiev
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe ai i Malit të Zi, Dritan Abazoviq kanë mbërritur në kryeqytetin e Ukrainës, në Kiev.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, kryeministrat Dritan Abazoviq dhe Edi Rama shfaqen të rrethuar nga forca të shumta të sigurisë teksa vizitojnë qytetin e Borodiankas në afërsi të Kievit.
“Menjëherë pas mbërritjes sonë, vizituam qytetin e Borodiankas, një qytet i shkatërruar në fillim të pushtimit. Jemi dëshmitarë të shkatërrimit të shkaktuar nga lufta. Ne lutemi për paqe së bashku me kryeministrin Edi Rama dhe i qëndrojmë pranë qytetarëve të Ukrainës,” shkruhet në postimin e Abazoviq në Twitter.
Odmah nakon dolaska posjetili smo #Borodianka, grad koji je razoren na početku invazije. Svjedočimo paklu ratnog razaranja. Zajedno sa @ediramaal molimo se za mir i stojimo čvrsto uz građane #Ukraine🇺🇦. pic.twitter.com/Y5fIlrmCuo
— Dr Dritan Abazovic (@DritanAbazovic) June 15, 2022
Ata gjatë ditës do të takohen me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Vizita e tyre atje vjen pas ftesës që ua ka bërë presidenti ukrainas.
Qeveria e Malit të Zi ka njoftuar më 12 qershor se kreu i saj, Abazoviq, ka pranuar ftesën e Zelenskyt.
Ukraina ndodhet nën pushtimin e Rusisë qysh më 24 shkurt. Aktualisht, luftimet janë të përqendruara në pjesën lindore të këtij vendi.
Perëndimi e ka dënuar ashpër sulmin, duke e ndëshkuar Rusinë me sanksione të ashpra ekonomike dhe diplomatike. Ukrainën, ndërkaq, është duke e ndihmuar me armatim.
Presidenti i Ukrainës, Zelensky, ka mbajtur një fjalim para Kuvendit të Shqipërisë, më 3 maj. Duke folur përmes video-lidhjes, ai ka kërkuar nga ky vend që t’i mbyllë portet për anijet ruse dhe të kufizojë ardhjen e turistëve rusë.