​PDK këmbëngul në tërheqjen e 30 për qind të mjeteve nga Trusti

Aktuale

​PDK këmbëngul në tërheqjen e 30 për qind të mjeteve nga Trusti

Më: 15 qershor 2022 Në ora: 13:42
Foto ilustrim

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) i ka bërë sot thirrje deputetëve të pozitës dhe opozitës që ta votojnë Projektligjin për Trustin, i cili mundëson tërheqjen e 30 për qind të mjeteve nga Trusti, projektligj ky i cili është në rend ditë nesër në Kuvend.

Në një konferencë për media, deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu tha se nesër është dita e 100-të prej kur kërkesa e tyre për ndryshim të ligjit të Trustit ka kaluar në Kuvend.

"Nesër është dita 100-të prej kur ne e kemi dorëzuar projektligjin për Trustin ne Kuvend. Pushteti i Albin Kurti në vazhdimësi e ka shtyrë trajtimin e këtij projektligji, duke shkelur edhe rregulloren e punës së Kuvendit të Kosovës. Kjo shtyrje është bërë me qëllim që të ushtrohet presion mbi deputetët për të mos e votuar një kërkesë të qytetarëve që ju mundëson tërheqjen e mjeteve nga Trusti. Derisa miratimi i Projektligjit për Trustin është shtyrë plot 100 ditë, kriza ekonomike ka shkuar duke u thelluar edhe më shumë", tha Haxhiu.

Duke i bërë thirrje qeverisë që të ndalë presionin ndaj deputetëve rreth votimit të këtij projektligji, Haxhiu tha se nga regjistrat e publikuar dje për deklarim të pasurisë, shihet se edhe politikanët kanë tërhequr mjete nga trusti kur ishte lejuar tërheqja prej 10 për qind.

"Andaj, si deputet në emër të PDK-së, ftoj të gjithë deputetët, pa dallim, pozitë dhe opozitë që ta mbështesin me votë Projektligjin për Trustin, ata janë përfaqësues të qytetarëve,  të zgjedhur me votë nga qytetarët dhe duhet të votojnë për kërkesën e qytetareve që ju mundëson tërheqjen e mjeteve nga Trusti. Pas publikimit te deklarimit të pasurisë  e kemi parë që shumë politikanë dhe familjarët e tyre  kanë tërhequr vetë mjetet nga Trusti, dhe është e pamoralshme që këtë t'ua  ndalojnë tani qytetarëve.", tha ai.

Edhe anëtarja e Kryesisë së PDK-së, Safet Hadërgjonaj tha se në rrethana të tilla e shohin të domosdoshme tërheqjen e mjeteve të Trustit.

"Në këtë situatë ku Qeveria nuk ka ndërmarrë asnjë masë për të lehtësuar jetën e qytetarëve, e vetmja zgjidhje për qytetarët ka mbetur tërheqja e mjeteve të kursimit në Fondin e Kursimeve Pensionale. Ne do të donim që Qeveria në këtë periudhë krize, kur çdo ditë ka rritje të çmimeve të ndërmerrte veprime urgjente për t'ua lehtësuar jetën qytetarëve, por kjo nuk po ndodhë.", theksoi Hadergjonaj.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat