Nesër para Kuvendit dhe Qeverisë, veteranët e luftës së UÇK-së, do të protestojnë kundër miratimit të Projektligjit për Pagën Minimale, ku nuk u përfshinë veteranët.
Kryetari i degës së OVL-së së UÇK-së në Drenas, Enver Hajdari, tha se qeveria aktuale është “qeveri antiluftë dhe antiveteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
“Ne nuk kemi kërkuar paga, por kemi kërkuar të drejtën tonë dhe Qeveria ka ardhë në pushtet ka ardhë për të krijuar rend dhe rregull, t’i trajtojë të gjithë qytetarët barabartë. Prandaj kjo qeveri, me sjelljen e saj arrogante, edhe po shihet që kjo qeveri nuk i ka dasht veteranët dhe nuk i don dhe pa hezitim po i quaj se është një qeveri antiluftë dhe antiveteranë të Ushtrisë çlirimtare të Kosovës”, tha Hajdari.
Hajdari i bëri thirrje të gjithë veteranëve që të dalin në protestën e nesërme, ndërsa nuk u përgjigj nëse pritet të ketë dhunë apo incidente.
Ai tha se “çkado që ndodhë, le ta mbajë përgjegjësinë qeveria aktuale që sot është në pushtet”, por tha se do të bëjnë përpjekje të jenë dinjitoz në këtë protestë.
“Ne po mundohemi që kontrolla mos të na dalë jashtë kontrollit dhe të ketë dalje masive. Është një e drejtë e jona të protestojmë, sepse qeveria ka bërë përjashtim”, tha ai.