Kryetari i PDK-së Memli Krasniqi ka thënë se Qeveria Kurti duhet ta kuptojë sa më parë që veteranët e luftës së UÇK-së nuk janë barrë për shoqërinë, por patriotë që e meritojnë respektin e plotë të secilit.
Në një postim në Facebook, Krasniqi ka akuzuar kryeministrin Kurti për përjashtimin e veteranëve të luftës nga ligji i ri për pagën minimale.
“Albin Kurti dhe Qeveria e tij vazhdimisht dhe publikisht kanë shpërfillur lavdinë dhe krenarinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Protesta e nesërme e veteranëve të UÇK-së është legjitime dhe e drejtë. Veteranët kanë të drejtë që të përdorin çdo mjet demokratik, qytetar e institucional për të kërkuar atë që u takon. Partia Demokratike e Kosovës i ka përkrahur dhe do t'i përkrahë kërkesat e tyre të drejta”, ka shkruar ai.
“Kjo sjellje e papërgjegjshme karshi veteranëve është absurde, e paarsyeshme dhe duhet të ndryshojë menjëherë”, ka shtuar ai.
Ndryshe, nesër është paralajmëruar një protestë e veteranëve të luftës në shenjë pakënaqësie ndaj mos përfshirjes së kësaj kategorie në ligjin për pagën minimale.