Krimet ekonomike në aksion, arrestojnë tre zyrtarë në Vushtrri

Aktuale

Krimet ekonomike në aksion, arrestojnë tre zyrtarë në Vushtrri

Më: 15 qershor 2022 Në ora: 21:33
Ilustrim

Hetuesit policorë në kuadër të Njësisë Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, të asistuar nga Inspektorët e Shëndetësisë të mërkurën kanë inspektuar laboratorin e analizave në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Vushtrri dhe kanë arrestuar tre zyrtarë për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Sipas Policisë, gjatë inspektimit janë konfiskuar libra të protokollit dhe raporte mjekësore për të cilat dyshohet se laboranti V.T., (viti i lindjes 1959) në bashkë-kryerje me kryeteknikun e këtij laboratori S.B., (viti i lindjes 1968) kanë shënuar vlera pa i ekzaminuar fare sipas procedurës mjekësore (centrifugim dhe ekzaminim mikroskopik).

Tutje, të njëjtit i kanë paraqitur ashtu si kanë dashur në raportet mjekësore të pacienteve, duke filluar nga data 1 prilli i këtij vitit e deri më 31 maj.

Në njoftimin e Policisë është bërë e ditur se bazuar në dëshmitë e siguruara përmes masave të fshehta dhe dëshmive të konfiskuara në laboratorin e në QMF-së në Vushtrri është siguruar dyshimi i arsyeshëm se të dyshuarit: B.B., shef i Laboratorit në QMF 1 në Vushtrri – S.B., kryeteknik i laboratorit në QMF 1 në Vushtrri dhe – V.T. Laborant i Laboratorit në QMF 1 në Vushtrri kanë kryer veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

“Tre të dyshuarit, janë shoqëruar për tu intervistuar në prezencë të avokateve mbrojtës dhe në konsultë me Prokurorin kompetent të rastit të PTH-së në Mitrovicë, të lartë cekurve ju caktohet masa e ndalimit për 48 orë”, thuhet në kumtesën e PK-së.

Mes tjerash, Policia tha se hetimet janë zhvilluar që disa muaj, duke aplikuar edhe masat e
fshehta të hetimit sipas urdhëresës se Gjykatës Themelore të Mitrovicës në koordinim të
vazhdueshëm me prokurorin e rastit dhe të asistuar nga Inspektoret e Shëndetësisë të Ministrisë së Shëndetësisë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat