Kërcënimi me vendosje bombe në shkollën “Mbreti Millutin” në Graçanicë, është bërë përmes një e-maili.
Në adresë të kësaj shkolle fillore, siç ka kuptuar RTKlive, e-maili është i shkruar në gjuhën serbe dhe në alfabetin cirilik.
Në e-mail kërcënohet Serbia, presidenti i këtij vendi fqinj dhe qeveria serbe.
“Një mjet shpërthyes është i vendosur në një shkollë. Unë nuk do të fshihem. Do të duhen vrasje. Ne do të vrasim”, shkruan ndër të tjera në këtë e-mail.
“Ne do të shkatërrojmë. Na vjen sinqerisht keq që do të vuajnë të pafajshmit. Nuk ka rrugë tjetër. Ne do të rrëzojmë qeverinë e Serbisë. Sytë tanë janë te presidenti i Serbisë dhe rrethi i tij, sytë tanë janë te presidenti i Serbisë dhe rrethi i tij, do t'i vrasim të gjithë”, shkruan më tej në këtë e-mail, të dërguar nga një adresë me emrin “dafodill”
Ndërkohë, drejtori i kësaj shkolle, Vladimir Milkiq, tha për mediumin publik se ende nuk dihet nëse një kërcënim i tillë është i rremë ose jo.
Ai tha se janë në pritje të njësiteve policore përkatëse nga Prishtina.
Në objektin e kësaj shkolle fillore në Graçanicë, gjendet edhe institucioni parashkollor dhe Shkolla e Mesme e Komunikacionit.
Por jo vetëm në këtë shkollë të Graçanicës ka sot kërcënime të tilla. Raportohet se kërcënime të ngjashme janë dërguar edhe në shkollat e fshatrave Sushicë dhe Llapnasellë.