Veteranët protestues po vazhdojnë të qëndrojnë në oborrin e Kuvendit, ku edhe është krijuar bllokada nga pjesëtarët e Njësisë Speciale. Ndërkohë, është parë një veteran derisa vendoste logon e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, te njëri nga pjesëtarët e Njësisë Speciale.
Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës po protestojnë para Qeverisë së Kosovës dhe Kuvendit të Kosovës për të shprehur kundërshtimin e tyre në lidhje me miratimin e Projektligji për rritjen e pagës minimale por që lë jashtë rritjes pensionet e tyre.
Të martën Kuvendi i Kosovës miratoi në parim, me 68 vota për, projektligjin që përcakton pagën minimale. Për kalimin e këtij projektligji ishin deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe ata të Listës Serbe, ndërsa komunitetet e tjera joshumicë abstenuan. Projektligji është kundërshtuar nga opozita, e cila nuk mori pjesë në votim.
Për këto organizata, deputetët me miratimin e këtij projektligji kanë vepruar kundërligjshëm e kundër aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.