Anëtari i kryesisë së Partisë Socialdemokrate Azdren Shala tha se arrestimi i kryetarit të kësaj partie Dardan Molliqaj sot ka ndodhur duke shkelur komplet procedurat ligjore.
Shala e quan kidnapim arrestimin e Molliqajt, pasi që pohon se ai nuk ka marrë asnjë ftesë nga gjykata për pjesëmarrje në seancê gjyqësore, por se ka ardhur direkt urdhër arresti.
“Është shkel apo është injoruar komplet procedura ligjore dhe sot nuk kemi pasur një arrestim sepse arrestimi është një procedurë zyrtare, ne kemi pasur një kidnapim klasik, qysh ka ndodhur edhe herën e kaluar të Kryetarit tonë Dardan Molliqaj. Rendi ligjor është përmbys komplet, fillimisht për rastin në fjalë ku ai është dashur të paraqitet në Gjykatë, Dardani është dashur të marrë një ftesë nga gjykata, mirëpo nuk ka marr asnjë ftesë dhe ka ardhur direkt urdhër arresti, kjo është shkelja e parë”, tha Shala.
Ai tutje në emisionin “Info Nata” e akuzoi pushtetin për formën se si është sjellë policia sot me aktivistë të PSD-së.
“Arrestimi i Dardanit Molliqajt ka qenë i paralajmëruar qysh dje, me një procedurë absurde dhe nuk mund të quhet procedurë, është një arrestim krejt i jashtëligjshëm. Brutaliteti i Policisë, format sesi janë sillë me aktivistë të partisë Socialdemokrate flet shumë për fytyrën e këtij pushteti, flet shumë se ky pushtet tashmë mekanizëm për t’i ndaluar kundërshtitë e ka frikën ndaj qytetarëve”, tha Shala.