Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishi në deklarimin vjetor të pasurisë për vitin 2021, të publikuar nga Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK), ka deklaruar se gjatë asaj periudhe nga Prokuroria Themelore ka gjeneruar të hyra vjetore në vlerë prej 112 mijë e 143 euro e 88 centë.
Nëse ky është lëshim teknik nga ana e Kryeprokurorit Munishi gjatë deklarimit të pasurisë, i njëjti nuk pranoi të japë një përgjigje për publikun.
Në këtë shumë të deklaruar, Munishi ka përfshirë edhe mëditjet dhe shtesat, e që sipas llogaritjeve të bëra, rezulton se i njëjti nga Prokuroria Themelore fiton të hyra mujore rreth 9 mijë e 300 euro.
Duke marrë parasysh se Kryeprokurorët e Prokurorive të tjera Themelore, sipas deklarimeve të pasurisë, kanë deklaruar pagën vjetore për pozitën e tyre jo më shumë se 30 mijë euro, “Betimi për Drejtësi” ka provuar të kontaktojë me Kryeprokurorin Munishi, për ta konfirmuar një deklarim të tillë.
Mirëpo, i njëjti nuk ka pranuar të japë sqarime për “Betimi për Drejtësi”, duke na udhëzuar t’i drejtohemi zyrës për informim.
Ndryshe, në deklarimin e pasurisë në AKK, Kryeprokurori Munishi, ka deklaruar se përveç që mban pozitën si kryeprokuror, ai është edhe ligjërues në Akademinë e Drejtësisë.
Si para të gatshme, Munishi ka deklaruar 3 mijë e 513 euro e 70 centë.
Kurse, si pasuri të tij të paluajtshme, Munishi ka deklaruar një shtëpi me oborr në sipërfaqe prej 475.00 m2 në vlerë prej 100 mijë euro, të cilën e ka trashëgimi dhe një banesë në pronësi të përbashkët me sipërfaqe prej 112.9 m2, me parking 24 m2, dhe depo 2.4 m2, të blerë në vitin 2021 në vlerë prej 80 mijë euro.
Munishi ka deklaruar se ka një kredi për blerje të banesës në vlerë prej 70 mijë.
Po ashtu, ai ka deklaruar të hyrat e bashkëshortes së tij në formë të pagës (shtesa dhe mëditje) nga Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe Konfiskuar, në vlerë prej 17 mijë e 838 euro e 59 centë.
Para të gatshme në emër të bashkëshortes së tij, Munishi ka deklaruar 474 euro e 88 centë.
Gjithashtu si pasuri të luajtshme, në emër të bashkëshortes së tij, Munishi ka deklaruar një veturë të tipit “Golf VII”, të blerë në vitin 2021 në vlerë prej 12 mijë e 500 euro.
Ndërsa, në emër të prindit të tij ai ka deklaruar një shtëpi me oborr me sipërfaqe prej 501.00 m2, në vlerë prej 150 mijë euro, e blerë nga prindërit në vitin 1980.