Ligjëruesi universitar në Paris Nezir Kraki vlerëson se Franca si bajraktare e presidencës së Bashkimit Evropian duhet të zbusë qëndrimin e saj për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe zgjerimin e Ballkanit Perëndimor drejt BE-së.
“Franca nuk kam besuar kurrë që ishte pengesa e vetme në këtë rrugëtim, duke ditur që Franca dhe Macron janë motor i ribashkimit të Bashkimit Evropian dhe koncentrimit të fuqisë politike të BE-së. Franca e ka marrë bajrakun e riunifikimit të BE-së me vendet anëtare dhe në këtë aspekt Franca duhet të zbusë qëndrimin për liberalizimin e vizave dhe zgjerimin e BE-së drejt Ballkanit”.
“Nëse ka qenë bllokuesja, tash Franca është motori për zgjerimin e BE-së dhe për këtë duhet të zbusë qëndrimin ndaj Kosovës dhe Ballkanit dhe kjo nuk më duket e pamundur, pasi këto të dyja janë të lidhura”, thotë Kraki.
Kraki, mes tjerash, në Edicionin Special në Klan Kosova, thotë se Kosova duhet të përfitojë nga koncentrimi i BE-së në Ballkan.
“Uroj që me gjithë krizat dhe nevojat që Bashkimi Evropian të koncentrohet në Ballkan dhe Kosovën në veçanti si për liberalizimin e vizave dhe njohjen e disa shteteve mosnjohëse. Nëse ndodh kjo, duhet të vazhdohet të përfitohet nga ky moment që të sqarohet edhe më tepër statusi i Kosovës në raport me BE-në”.
“Momentalisht jemi kandidat potencial për anëtar në Bashkim Evropian. Kosova duhet të përfarohet me shpejt me NATO-në dhe të aplikojë – nëse jo të aplikojë të paktën të ketë plan strategjik me ta”, tha Kraki.