Agjencia Kundër Korrupsion (AKK) ka publikuar deklarimin e pasurisë së zyrtarëve të lartë publik.
Në deklarimin e pasurisë në AKK, Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Blerim Isufaj, ka deklaruar se krahas punës së tij si prokuror ai është edhe trajnues nëpërmjet UNDP Kosovo-DSA-Akademia e Drejtësisë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Si të hyra vjetore, Isufaj ka deklaruar gjithsej 39,279.37 euro si paga mujore dhe shërbime të trajnimeve, si dhe 624.42 euro mëditje dhe mbulim të akomodimit.
Si Kryeprokuror, Isufaj ka deklaruar se gjatë vitit 2021 ka pranuar 39,903.79 euro, ku 36,701.99 janë nga paga e Kryeprokurorit të PSRK-së, 2,577.38 euro janë nga shërbimet e trajnimeve në Akademinë e Drejtësisë nëpërmjet UNDP Kosovo-DSA, si dhe 624.42 euro nga mëditje dhe mbulim të akomodimit.
Përveç këtyre të hyrave, Isufaj ka deklaruar edhe të hyra nga fëmijët në vlerë prej 3,650.90, të hyra nga Banka Ekonomike si paga.
Sa i përket paluajtshmërive, Isufaj ka deklaruar një truall në sipërfaqe prej 4 ari e ndërruar me 4 ari tjerë në vitin 2019 në vlerë prej 60,000.00 euro, 5 parcela të tokës në madhësi totale prej 13,450.00 m2 si trashëgimi në vlerë totale prej 207,000.00 euro, si dhe një mal me sipërfaqe prej 2,359.00 m2, po ashtu trashëgimi, në vlerë prej 5,000.00 euro.
Përveç këtyre, si pronë të bashkëshortes, Isufaj ka deklaruar një banesë me sipërfaqe prej 55.85 m2 të blerë në vlerë prej 30,000.00 euro.
Kryeprokurori Isufaj, nuk ka deklaruar se posedon veturë, para të gatshme të mbajtura në institucione financiare dhe mjete tjera me vlerë.
Nga ana tjetër në detyrime financiare ndaj personave juridik dhe fizik, Isufaj ka deklaruar se ka detyrime në vlerë prej 79,000.00 euro. Nga këto ka deklaruar 49,000.00 euro për blerje banese dhe orendim të shtëpisë, si detyrime të deklaruesit për 10 vite.
Po ashtu, Isufaj ka detyrime në vlerë prej 4,000.00 euro për orendi të shtëpisë për periudhën 3 vjeçare. 20,000.00 euro detyrime në 4 vitet e ardhshme për mobilie shtëpiake dhe rregullim të oborrit të shtëpisë në Junik, si dhe shumën prej 6,000.00 euro për 3 vitet e ardhshme për blerje të veturës.