Publicisti shqiptar, Uk Lushi, ka komentuar raportet mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe kryeministrit shqiptar Edi Rama, pas mbledhjes së tetë të të dy qeverive, e cila u mbajt sot në Prishtinë.
Ai tha se raporti i dy kryeministrave shqiptarë duhet të jetë në nivel burrështetasish, e që sipas tij, raporti mes Kurtit e Ramës nuk është në nivelin e tillë.
Lushi tha se të dy merren me gjëra të vogla që s’kanë rëndësi ndërsa sjelljen e mirë me njëri-tjetrin e kanë për detyrë.
Ai tutje tha se ky është takimi i tetë mes dy qeverive, por sipas tij, ende nuk ka rezultate të prekshme në makro-projekte dhe projekte që këto dy shtete duhet t’i bëjnë që t’ua përmirësojnë jetën qytetarëve.
“Ekziston një shprehje “e treta, e vërteta” e si duket tash ajo shprehje është ndërruar në “e teta, e vërteta”. Nuk është një arritje e madhe që të mburret njeriu për zbatueshmeri të marrëveshjeve pas tetë takimeve pas më shumë se sa dy dekada në marrëdhënie ndërshtetërore por po e përsërisë prapë që ka marrëveshje që s’janë zbatuar dhe fokusi nuk po kthehet te çështjet e mëdha”, është shprehur Lushi në “Info Magazine”.
Më tej, publicisti Lushi tha se Kosova e Shqipëria munden e domosdo duhet të bashkëpunojnë në tri segmente në të ardhmen, ku sipas tij, veç në fushën diplomatike mund të shpëtohen 100 milionë euro.
“Ai i pari është i energjisë, i dyti është ai i Shëngjinit dhe në fund është sektori i diplomacisë ku Kosova e Shqipëria veç me objekte konsullore e diplomatike mund t’i shpëtojnë deri në 100 milionë dollarë në vit nëse do t’i kishin ndërtesat e përbashkëta”, është shprehur Lushi.
Kujtojmë se sot është mbajtur mbledhja e përbashkët e Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë ku janë nënshkruar 19 marrëveshje.