Kryeministri Edi Rama për dy ditë në Kosovë takoi kryeministrin Kurti, vizitoi biznese dhe u pa me kryetarët e partive opozitare përveç me Ramush Haradinajn e AAK-së me të cilin ka pasur një histori përplasjesh.
Rama arriti të dielën në Kosovë dhe shkoi për vizitë te prindërit e ish-presidentit Thaçi në Burojë të Skenderajt.
Po atë ditë, ai vizitoi disa nga sipërmarrësit e Kosovës për të vazhduar të nesërmën me mbledhjen e përbashkët të dy qeverive ku u nënshkruan disa marrëveshje.
Kryeministri shqiptar takoi edhe Memli Krasniqin e PDK-së e Lumir Abdixhikun e LDK-së, por jo edhe Ramush Haradinajn e AAK-së.
Me ish-komandantin e ZO të Dukagjinit, Rama i kishte relaksuar raportet dhe të njëjtin e kishte pritur në muajin maj në Tiranë.
Haradinaj kishte njoftuar për takimin duke e falënderuar Ramën për ndihmën ndaj Kosovës.
“Falënderova Kryeministrin Rama për ndihmën e shtetit shqiptar gjatë krizës energjetike në Kosovë dhe shpreha nevojën e gjetjes së mënyrave të bashkëpunimit të ngushtë mes dy vendeve në këtë kohë aspak normale”, ka shkruar Haradinaj.
Dje, në mbrëmje, kur Rama publikoi fotografitë e vizitës në Kosovë, Haradinaj publikoi fotografinë me djalin e tij si maturant.