Prokuroria kërkon dënim maksimal për të dyshuarin në vrasjen e Donjeta Pajazitajt

Aktuale

Prokuroria kërkon dënim maksimal për të dyshuarin në vrasjen e Donjeta Pajazitajt

Më: 21 qershor 2022 Në ora: 15:54
Donjeta Pajazitaj

Gjatë fjalëve përfundimtare të dhëna nga palët, prokurorja Valbona Disha- Haxhosaj kërkoi dënimin maksimal ndaj të akuzuarit për vrasjen e Donjeta Pajazitajt, Naser Pajazitajt, raporton "Betimi për Drejtësi".

“Mbetem në tërësi pranë fjalës përfundimtare të dhënë në këtë gjykatë më 24 maj 2021, shtoj se përgjatë këtij rigjykimi është vërtetuar përtej dyshimit të bazuar se Naser Pajazitaj ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë”, tha Disha Haxhosaj.

Ndërsa avokati i Naser Pajazitajt, Gëzim Kollçaku kërkoi lirimin e të mbrojturit të tij nga akuza, ku ka përfunduar të martën gjykimi i katërt në këtë rast.

I akuzuari Naser Pajazitaj, tha se e përkrah fjalën e mbrojtësit të tij, dhe se tjetër nuk ka asgjë për të shtuar.

Pas përfundimit të fjalës përfundimtare nga ana e palëve, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Ibrahim Idrizi, konstatoi se çështja është shqyrtuar mjaftueshëm, andaj edhe e shpalli të përfunduar gjykimin për këtë çështje.

Shpallja e aktgjykimit për këtë rast u caktua të bëhet më 23 qershor 2022.

Ky rast kishte marrë epilog dy herë në Gjykatën Themelore në Pejë, ku pas gjykimit të parë, Pajazitaj ishte shpallur i pafajshëm, kurse pas gjykimit të dytë, ai ishte dënuar me burgim të përjetshëm. Por, në të dy rastet, aktgjykimet ishin anuluar nga Gjykata e Apelit, përkatësisht Gjykata Supreme dhe lënda ishte kthyer në rigjykim.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat