Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka qenë i ashpër në kritikat e tij ndaj Qeverisë Kurti për votimin në parim të ligjit për pagën minimale.
Haradinaj tha në Rubikon se Lëvizja Vetëvendosje bashkë me Listën Serbe atë ditë votuan kundër UÇK-së.
“Arsyeja pse unë kam thënë dhe e përsëris fëmijët e UDB-së dhe Rrahman Morina, është se unë i kam parë deputetet shqiptarë rrallë i kam pa ashtu dhe Listën Serbe duke votu kundër UÇK-së, rrallë ka ndodhur, ne kemi pasur rast kur e kemi marrë votën e Listës Serbe, por jo kundër vlerave kombëtare, kundër Nënës Terezë, apo Skenderbeut, apo UÇK-së, apo Ibrahim Rugovës a dikujt, është domethënëse kur i sheh ata që thirren në ekstreme duke votuar një ligj kundër veteranëve”.
“Ky është një turp i Vetëvendosjes, i atyre njerëzve, i të gjithëve në atë sallë, pa dallim, sidomos atyre që janë viktima të atij regjimi, ata që kanë qenë në UÇK, që kanë qenë viktima, kanë familjet e masakruara, është një turp i tyre, ka me ju mbetë turp, kjo votë është turp i tyre, e kanë çu dorën bashkë me Listën Serbe, për t’i lënë veteranët jashtë pagës minimale”, tha Haradinaj në Rubikon.
Haradinaj tha se nuk ka votë më anti-shqiptare në Parlamentin e Kosovës.
Kryetari i AAK-së shtoi se Lista Serbe dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë pasur marrëveshje për të votuar për këtë ligj.
“Atë ditë e kam parë parlamentin tim, kam qenë i ulur, e kam parë parlamentim tim, çfarë sinkronizimi i votës, ky i ka 63 ai 60, nuk e kanë ditë sa i kanë, se janë frikësu se nuk ua qet ndonjë i brendshëm votën, se kanë deputetë si Humolli e tjetri, nga frika që nuk i marrin tri ose katër vota të vetat, i kanë kërcënu deputetët e vetë, i kemi serbët, kanë ardhë Lista Serbe, kanë votu kundër veteranëve”, tha Haradinaj.
“E vetmja parti politike që u bashku me serbët qe 22 vjet për me votu kundër UÇK-së është Lëvizja, kjo ka ndodhur në Parlamentin e Kosovës”, tha Haradinaj.