Ish-kryeministri Isa Mustafa, marrëveshjen e sotme të arritur në Bruksel në mes të Kosovës dhe Serbisë për energjinë, e ka quajtur si një hap normal.
“Tani e kam parë si një veprim normal, sepse si kryeministër kam marrë pjesë për implementimin e marrëveshjes. Në fakt Serbia gjithnjë ka prolonguar arritjen e marrëveshjeve. Me rëndësi të mendojnë ata që dikur kanë kundërshtuar këtë marrëveshje”, tha ai.
Duke folur për historikun e marrëveshjes, Mustafa tha se “bazamentin e ka të njëjtë, në preambulën e saj, dallimi është se nuk përmenden firma “Elektroseveri” ose “Elektroveriu”, që dikur ishte në marrëveshje më 2013 e 2015, që kjo firmë të veprojë sipas ligjeve të Kosovës, si dhe pjesa tjetër që nuk ka të bëjë me integrimin në sistemin operativ të rrjetit të energjisë së Kosovës e, po ashtu, edhe në integrimin e sistemit operativ në sistemin energjetik në Evropë, sepse ajo ka ndodhë pa u bë marrëveshja në ndërkohë”.
Ndërsa për licencimin e firmës serbe “Elektrosever” nga ZRRE, Mustafa tha se kjo është një procedurë tjetër.
“Procedura e dytë ka qenë në marrëveshjen e vitit 2015 dhe ka qenë një afat i cili është dhënë për regjistrimin e firmës në bazë të kërkesës së Elektroekonomisë ose Elektroprivreda të Serbisë, por ata nuk e kanë bërë kërkesën atëherë, duke iu adresuar në mënyrë kushtetuese institucioneve të Kosovës dhe ne nuk e kemi pranuar kërkesa tjera pa u bërë adresimi i saktë i institucioneve të Kosovës”, tha Mustafa në RTK Prime.