Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës Rrezarta Krasniqi, ka njoftuar se do të votojë pro tërheqjes së një pjese të kursimeve në Trustin pensional.
Ajo ka thënë se vendimin e ka marrë për shkak të krizës ekonomike në vend dhe ngritjen e çmimeve të produkteve të ndryshme, përcjell Bota sot.
Sipas saj, tërheqja e një pjese të kursimeve nuk e rrezikon pleqërinë e qytetarëve, siç po pretendon në mënyrë të vazhdueshme nga partia në pushtet - Lëvizja Vetëvendosje.
Reagimi i saj në Facebook:
Ngritja e vazhdueshme e çmimeve të produkteve të ndryshme, ka shkaktuar krizë mbi ekonominë e vendit, rrjedhimisht ka vështirësuar jetesën për qytetarët, të cilët me të drejtë kërkojnë tërheqjen e kontributeve të tyre nga Fondi Pensional - Trusti. Andaj unë kam vendosur që në seancën e sotme plenare të pozicionohem në mbështetje të kërkesave të qytetarëve duke votuar PRO miratimit të Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për fondet pensionale të Kosovës, i cili mundëson tërheqjen e një pjese të kursimeve, që sigurisht se nuk e rrezikon pleqërinë e qytetarëve, siç po pretendohet në mënyrë të vazhdueshme nga partia në pushtet e cila është rreshtuar kundër kësaj iniciative.
Me qytetarin, në të mirë e në të keqe!