Ishin vitet e fundit të shtatëdhjetave të një mijë e tetëqindtës, kur shqiptarët në Ballkan ndjenë një trazirë, që nuk harrohet kurrë.
Konkretisht, dyndjen dhe shpërnguljet e dhunshme e të detyrueshme të shqiptarëve nga sistemi politik i Serbisë ndodhi përgjatë viteve 1877-1878.
Në ato prona të Sanxhakut të Nishit e më gjerë nuk u kthyen kurrë më pronarët e vërtetë.
E kjo çështje, sipas studiuesit, prof. Dr. Jusuf Osmani, duhet të përfshihet në dialogun mes Kosovës e Serbisë.
I njëjti në Sytë 7, tha se “edhe më herët kur presidenti (Ibrahim) Rugova zhvillonte biseda me palën serbe, në një takim me profesorin e nderuar, Sabit Ukën, ai i ka propozuar që të futet kjo çështje në bisedime, dhe shkurt i thotë: Kosova mbrohet në Nish!”
Osmani tha se ky veprim duhet të bëhet që “opinionit vendor e ndërkombëtar, t’i prezantohen faktet se shqiptarët janë shtrirë në mënyrë masovike deri në pjesën veriore të Nishit, s’do të thotë që nuk ka pas edhe në pashallukun e Beogradit”.
Studiuesi i rrallë i çështjes së muhaxhirëve shqiptar, i cili së fundmi ka publikuar edhe punimin 30 vjeçar, “Shqiptarët në Sanxhakun e Nishit” si përfundim i projektit të nisur edhe nga profesori i ndjerë, Sabit Uka, tha se “në këto bisedime duhet me u hap si temë për arsye se çështja e pronave nuk u zgjedh në Kongresin e Berlinit, në nenin 35 dhe 39 është shënuar e drejta e pronarëve në qasje në ato prona, në kompensim apo dhënie me qira”.
Osmani, tha se ka mjaftueshëm të dhëna e dokumente për të vërtetuar pronësinë shqiptare në Serbi. Por, mbetet i zhgënjyer që shteti i Shqipërisë nuk është marr pothuajse fare me këtë temë.