Kurti përplaset me opozitën në Kuvend - ndërpritet seanca: Çfarë trusti, s’ka trust

Aktuale

Kurti përplaset me opozitën në Kuvend - ndërpritet seanca: Çfarë trusti, s’ka trust

Nga: Bota sot Më: 22 qershor 2022 Në ora: 11:14 Përditësuar në ora: 12:38 më 22.06.2022
Kuvendi i Kosovës

Tahiri: Kurti iu tha deputetëve të VV-së mos ta votojnë kurrsesi Trustin: Ja me mu, ja me këta

Besnik Tahiri i AAK-së, thotë se kanë informata se kryeministri Kurti iu ka thënë deputetëve të Vetëvendosjes, të mos e votojnë Trustin me shprehjen ‘ose jeni me mu ose me këta’.

“Informatat që kemi është se komunikimi me deputetët tuaj, ka qenë ja me mu ja me këta.

Unë i ftoj deputetët të reflektojnë dhe poashtu shpresoj të reflektoni rreth pagës minimale.

Ju ftojmë të refletkoni rreth situatën në ekonomi”, ka thënë Tahiri.

Kurti: Marrëveshja e vitit 2013 e 2015 për energjinë nuk është e mirë, e them edhe sot

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në seancën e Kuvendit ka folur për implementim të marrëveshjes për energjinë elektrike në katër komunat në veri të Kosovës.

Kurti ka thënë se marrëveshja e vitit 2013 dhe ajo e vitit 2015, nuk ishin të mira, dhe se të njëjtën gjë e mendon edhe sot.

“Pas më shumë 20 viteve katër komunat në veri do të kalojnë në një rend të rregullt të pagesave për energji. Kjo u marrëveshje do ta mundësojë këtë. BE-ja do ta mbikëqyrë zbatimin e marrëveshjes. Kemi trashëguar shumë gjëra që nuk kemi dashur, po e bëjmë më të mirën me krejt çka dimë e mundemi. Pas 20 vitesh po e ndalim gjakderdhjen financiare në veri të vendit dhe një padrejtësi që është bërë. A janë të mira marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015 nuk janë të mira, ashtu them edhe sot. Ato nuk ishin marrëveshje të mira, por i trashëguam dhe i gjetëm. Kur u bëra kryeministër e gjeta Kedsin dhe Kesco, po të isha më herët nuk do të kishte KEDS dhe Kesco. Ka një mori gjërash që nuk i bëj me dëshirë. Përveç se ato marrëveshje s’kanë qenë të mira, gjendja në terren është edhe më e keqe.

Askush nuk thotë se gjithçka ka përfunduar me tekstin e djeshëm të udhërrëfyesit, por besoj se me bashkëpunimin me BE-në dhe ekspertët tanë do të mund ta bëjmë edhe furnizimin e qëndrusheëm dhe inkasimin në veri. Ajo çfarë bëjë unë mund të përkufizohet si më poshtë:

“E bëj minimumin e pranimit të realitetin, për maksimumin e ndryshimit të realitetit. Nuk kam mundësi të tjera”, u shpreh Kurti në seancën e Kuvendit.

​Deputeti i LDK-së paraqet katër masa për krizën ekonomike

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj ka paraqitur katër masa që Qeveria e Kosovës duhet t’i marrë për krizën ekonomike në vend.

Gjatë punimeve të seancës së sotme plenare, Zemaj kërkoi reduktimin e akcizës dhe normës së TVSh-së për derivate, dhe zgjerimin e listës së produkteve të domosdoshme në normën e reduktuar për tre muaj.

Zemaj: Këto katër masa duhet t’i marrë Qeveria Kurti

“Reduktimin e akcizës dhe normës së TVSh-së për derivate për tre muaj, me mundësi vazhdimi edhe për tre muaj tjerë, varësisht nga zhvillimet në tregjet ndërkombëtare. Dy zgjerimi në listën e produkteve të domosdoshme në normën e reduktuar të TVSh-së për tre muaj, me mundësi vazhdimi për tre muaj tjerë, varësisht nga zhvillimet në tregjet ndërkombëtar. Tre, indeksimin e pagave, të përfitimeve pensionale dhe sociale për normën e inflacionit të çmimeve të produkteve ushqimore bazike. Katër, rritjen e subvencioneve në bujqësi”, tha ai.

Në të kundërtën, Zemaj tha se po i shtyhen të votojnë pro tërheqjes së TRUST-it.

Musliu për dëmet në Bujqësi: Ministria t’iu kthejë moralin bujqve, t’i identifikojnë dëmet e shkaktuara nga breshëri

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ka kërkuar nga Ministria e Bujqësisë që t’i kompensojë bujqit pas dëmeve të shkaktuara nga reshjet e fundit në Kosovë.

Musliu ka thënë se në disa fshatra të Podujevës dëmet e shkaktuara nga reshjet janë të mëdha, dhe kësisoj Ministria e Bujqësisë t’ia kthejë moralin bujqve.

Nuk mundem pa e shpreh habinë për mënyrën se si prezanton Armend Muja marrëveshjen të cilën dikur kishit gjuajtur me vezë. Në disa fshatra të Podujevës si Lupq, Majac janë dëmtuar keq nga këto reshje dhe kërkoj nga Ministria e Bujqësisë t’i gjinden pranë këtyre bujqve që t’ia kthejnë moralin bujqve. Kërkoj nga institucionet t’i identifikojnë dëmet e shkaktuara nga breshëri”, tha ajo.

Tahiri kërkon sqarime nga Kurti për mospërkrahjen e rezolutës për sigurinë në vend

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se partia e tij e përkrah marrëveshjen për energji elektrike, të arritur në Bruksel me palën serbe.

Tahiri ka kërkuar sqarime nga kryeministri Kurti, që partia e tij nuk e përkrahi njëjtë edhe rezolutën për sigurinë në vend, e propozuar nga AAK-ja në fillim të kësaj seance.

Ditën e djeshme Qeveria e Kosovës e nënshkroi marrëveshjen për energji që bazën e ka në vitin 2015. I kemi dhënë mbështetje që kjo marrëveshje përmirëson situatën që jemi sot. Ne para një ore prezantuam projekt rezolutën për sigurinë në vend që zotëri kryeministër nuk e ke pa. Si është e mundur që grupi yt parlamentar nuk e mbështet këtë rezolutë. Kërkesa jonë është që të ndryshoni qëndrime në 5 pika që prekin qytetarin. Ka një vit e gjysmë që po e shtyni ligjin e pagave, kemi kërkuar të reflektoni në produktet bazë. Sot e kemi trustin, mendoj që duhet ta votojmë trustin. Ne kërkojmë që për këto 5 pika ta ndryshoni qëndrimin”, tha Tahiri.

Zemaj: Heqja e akcizës për bujqit nuk është zbatuar asnjëherë

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka thënë se Qeveria Kurti duhet të reflektojë karshi rritjes së çmimeve kohëve të fundit.

Zemaj ka thënë se krahas vendimit për heqjen e akcizës për bujqit, kjo nuk është zbatuar asnjëherë.

Në emër të LDK-së shpreh shqetësimin lidhur me rritjen enorme të çmimeve. Vendi ka një vit që ka hyrë në krizë të inflacionit. Publikimet e fundit në muajin maj janë rritur çmimet e konsumit për 12.5 për qind. Qytetarët e kanë pagur edhe TVSH e rritur në 104 për qind. Tani çmimi i naftës sillet 1.85. Si mund të krenohet qeveria për rritje të të hyrave ku po bie në kurriz të qytetarëve. Andaj kryeministër Kurti është mirë të zotoheni për këto masa. Vendimi për heqjen e akcizës për bujqit nuk është zbatuar asnjëherë”, tha Zemaj.

Shala, Kurtit: Kërko falje për akuzat për tradhti energjetike pas nënshkrimit të marrëveshjes

Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, në seancën e Kuvendit ka kërkuar nga kryeministri Kurti që të informojë në hollësi se çfarë marrëveshje është nënshkruar dje mes Kosovës dhe Serbisë në fushën e energjisë.

Shala e ka pyetur shefin e qeverisë së Kosovës se a cenon sovranitetin e vendit ajo marrëveshje.

“Do të ishte mirë që sot kryeministri Kurti sot të dilte këtu dhe të tregonte se a ishte marrëveshje e re apo marrëveshje e vjetër. Cila është e vërteta e juaj që keni folur me vite, a është kjo marrëveshje që e cenon sovranitetin e Kosovës, nëse është marrëveshje e re çka dallon nga e vjetra të cilën e ke sha dhe e ke fy. Na thuaj dallimin mes të vjetrës dhe të rejës. Ajo marrëveshje që na keni servu a do të ketë implikime në pjesën tjetër të territorit të Kosovës”, ka thënë Shala.

Ai ka thënë se nëse marrëveshja është e njëjta, atëherë Kurti duhet të kërkojë falje për katrahurën 10 vjeçare që i ka bërë Kuvendit në emër të tradhtisë energjetike.

“Kryeministri do të duhej të kërkonte falje për këtë katrahurë 10 vjeçare që i është bërë këtij institucioni në emër të tradhtisë në sektorin energjetik. Pra unë kërkoj sot të kemi informatë të hollësishme kush dhe çka negocioi, çka ndryshoi në këtë marrëveshje”, tha Shala.

Kusari-Lila: Nënshkrimi i 19 marrëveshjeve me Shqipërinë, vendosi gurët e mëdhenjtë të përbashkimit

Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, kas thënë se marrëveshjet e nënshkruara ditë më parë me Shqipërinë do të ndikojnë në të mirë për qytetarët.

Në seancën plenare, Kusari-Lila ka thënë se edhe marrëveshja në fushën e energjisë maksimizojnë potencialin e dyja vendeve.  

 “Nënshkrimi i 19 marrëveshjeve vendosi gurët e mëdhenjtë të përbashkimit. Për të gjithë studentët e viteve 90 duhet të kalonin kufirin dhe kjo marrëveshje për lëvizjen e lirë dhe realizimin e sistemit doganor konkretizojnë për secilin qytetarë pa ndalesa. Marrëveshja e përbashkët në fushën e energjisë maksimizojnë potencialin e dy vendeve. Kosova dhe Shqipëria janë vende me zhvillim për jetë të mirë për qytetarë të vet”, tha ajo.

Për shkak të votave të pamjaftueshme, përsëritet konkursi për anëtar të KPM-së

Në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, në rend dite është edhe zgjedhja e një anëtari të bordit të Komisionit të Pavarur për Media (KPM).

Votimi do të mbahet i fshehte, ndërsa në komisionin e votimit nga VV është Arjeta Fejza, nga PDK, Ganimete Musliu, nga LDK, Agim Veliu dhe nga AAK, Time Kandriaj. Për komisionin e votimit kanë votuar 78 deputetë.

Kandidatë për anëtarë të bordit janë Violeta Kelmendi dhe Teuta Morina. Pas votimit, 42 fletëvotime kanë qenë të pavlefshme. Mirëpo, për shkak të mos-marrjes së mjaftueshme të votave nga asnjëra kandidate, konkursi përsëritet.

S’kalon rezoluta e AAK-së për situatën e sigurisë në Kosovë

Kuvendi i Kosovës nuk ka miratuar rezolutën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), pas debatit parlamentar në lidhje me situatën e sigurisë në vend.

Rezoluta mori mbështetjen e vetëm 25 deputetëve të partive opozitare, përfshirë edhe votën e kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca. Ndërsa, 50 deputetët e mazhorancës shprehën kundërshtimin duke abstenuar.

Në seancën e sotme plenare, në të cilën po shqyrtohen pikat e papërfunduara nga seancat e kaluara, nuk u shqyrtua fare Projektligji për vetëqeverisjen lokale dhe Projektligji për festat zyrtare, në mungesë të deputetëve të komuniteteve jo shumicë.

Kuvendi po vazhdon punimet me pikat e tjera në rend të ditës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat