Samiti i BE-së, kërkesat dhe pritjet nga Ballkani perëndimor

Aktuale

Samiti i BE-së, kërkesat dhe pritjet nga Ballkani perëndimor

Më: 22 qershor 2022 Në ora: 12:37
Foto ilustrim

Shefat e shteteve dhe qeverive të Bashkimit Evropian, në samitin që do mbahet me 23 dhe 24 qershor, do të kërkojnë rezultate të shpejta  në procesin e normalizimit të raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Këshilli Evropian ripohon urgjencën e arritjes së përparimit të prekshëm në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të pazgjidhura dypalëshe dhe rajonale, veçanërisht në dialogun Beograd-Prishtinë”, thuhet në draftin e konkluzave të cilat do të miratohen në takimin e radhës të liderëve të Bashkimit Evropian.

Do jetë ky takim kur pas një periudhe të gjatë, BE do dërgojë mesazhe të qarta sa i përket perspektivës së integrimit të vendeve të rajonit ne strukturat evropiane.

Siç thuhet në draftin e konkluzave të samitit, konfirmohet perspektiva e anëtarësimit të Ballkanit perëndimor në Bashkimin Evropian, teksa do kërkohet edhe përshpejtim i procesit.  

Nga Komisioni Evropian, Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme si dhe Këshilli Evropian, do të kërkohet gjithashtu edhe avancim në integrimin gradual midis Bashkimit Evropian dhe rajonit, siç thuhet, gjatë vetë procesit të zgjerimit në një mënyrë të kthyeshme si dhe të bazuar në merita.

Pritet që me konkluza të rikujtohet rëndësia e reformave, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit dhe në veçanti ato që lidhen me pavarësinë dhe funksionimin e gjyqësorit dhe luftën kundër korrupsionit.

 Vendeve të rajonit do iu bëhet thirrje gjithashtu që të garantojnë të drejtat dhe trajtimin e barabartë të pakicave.

Ndërkohë, në konkluzat nga samiti nuk do ketë asnjë referencë sa i përket mundësisë së liberalizimit të vizave për Kosovën.

Kjo për arsye se çështja e liberalizimit nuk vendoset në nivelin më të lartë politik, përkatësisht të liderëve, por në nivel të Këshillit të Ministrave.

Çështja e vizave edhe po të ishte në agjendë, do mund të përmendej në një deklaratë të veçantë ku eventualisht liderët do të mbështesnin procesin e liberalizimit me çfarë do hapshin mundësitë që procedurat e rregullta të fillojnë.

Para nisjes së samitit të rregullt të Bashkimit Evropian, shefat e shteteve dhe qeverive të vendeve evropiane do zhvillojnë një takim me homologët e tyre nga Ballkani Perëndimor.

Do jetë ky rast kur do të diskutohen sfidat me të cilat ballafaqohet rajoni, sidomos në dritë të agresionit rus në Ukrainë.

Bashkimi Evropian i ka intensifikuar aktivitetet në rajon që nga nisja  e luftës në Ukrainë duke mëtuar që të ndihmohen vendet e Ballkanit Perëndimor në ballafaqimin me pasojat e mundshme nga agresioni rus.

Në samitin BE-Ballkani perëndimor, Kosovën do e përfaqësoj presidentja, Vjosa Osmani. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat