Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati nëpërmjet një postimi në Facebook, ka kritikuar qëndrimin edhe të pozitës edhe të opozitës parlamanetare në lidhje me temën e dialogut me Serbinë.
"Të gjithë janë të frikësuar nga zgjidhja finale, andaj e mbajnë peng Kosovën në dialogje të pafundme në të cilat bisedohet për Kosovën me Serbinë dhe nën moton e shtrirjes së sovranitetit e dëmtojnë funksionalitetin e shtetit të Kosovës dhe e formalizojnë ndikimin e Serbisë në Kosovë", shkruan Murati.
Më tutje ai pohon se dallimi vetëm është se tani përfaqësuesi i kësaj logjike është kryeministri Kurti, i cili, karrierën politike e ngriti me kuaza të papërputhshme me këtë qasje.
Postimin e plotë:
Në Kosovë sot nuk ka dallim në mes të pozitës dhe opozitës parlamentare sa i përket dialogut me Serbinë. Të gjithë janë të frikësuar nga zgjidhja finale, andaj e mbajnë peng Kosovën në dialogje të pafundme në të cilat bisedohet për Kosovën me Serbinë dhe nën moton e shtrirjes së sovranitetit e dëmtojnë funksionalitetin e shtetit të Kosovës dhe e formalizojnë ndikimin e Serbisë në Kosovë.
Dallimi i vetëm është se tani përfaqësuesi kryesor i kësaj logjike politike është kryeministri Kurti, i cili ka ngritur staturën e tij politike duke kundërshtuar jo vetëm çdo marrëveshje me Serbinë, por edhe dialogun në vetvete. Vetëm trajtimi i problemeve themelore me Serbinë duke u nisur nga parimi i reciprocitetit, atyre të Kosovës Lindore dhe tri komunave me shumicë serbe në veri të vendit është rruga.
Të gjitha rrugët tjera dërgojnë në jofunksionalitet të shtetit të Kosovës, mungesë zhvillimi, konsumim të brendshëm në beteja të pafundme politike dhe dëshpërim e depresion të qytetarëve të Kosovës.