Pas dështimit të sotëm në Kuvend të votimit të projektligjit për tërheqjen e mjeteve nga Trusti, deputeti i PDK-së Ferat Shala thotë se ky projektligj do duhej të kalonte në seancën që do të mbahet nesër.
Shala theksoi se numrat i kanë, teksa janë edhe katër apo pesë deputetët të pozitës të cilët janë pro votimit të Trustit. Ai theksoi se të njëjtit janë kombinim i Listës Guxo dhe Lëvizjes Vetëvendosje.
“Katër- pesë kanë shfaqë mendimet e tyre të ndara dhe pro votimit të Trustit…janë kombinim i Listës Guxo dhe Vetëvendosjes”, tha ai.
Deputeti i PDK-së shtoi se presin që në seancën e nesërme t’i kenë votat.
“Nëse nuk ka ndërhyrje politike nga shumica parlamentare dhe nëse nuk ka, si me thënë, një lloj presioni që bëhen ndaj deputetëve, vullneti ekziston dhe do duhej të kalon nesër Trusti…definitivisht presim t’i kemi votat..nesër pres që të votohet Trusti”, shtoi ai.
Shala po ashtu potencoi se ka qëndrime që mbështetje do të kenë edhe prej disa deputetëve të minoriteteve.
Në mungesë kuorumi për pikën e Projektligjit për tërheqjen e 30% të Trustit, seanca plenare do të vazhdojë nesër.