Edi Rama se ka në mend të ndalet. Pas vizitës në Kosovë, ku në vend se t’i thyheshin ‘hundët’, dhe t’ia demonstronin se ai është një surrogat i Vuçiqit, ndodhi e kundërta.
Ai u prit thuajse si mos më mirë. I vetmi institucion, që nuk kishte vendosur ta nderonte ishte Presidenca.
U prit përveç se me nderime nga qeveria edhe nga partitë, liderët e LDK-së dhe PDK-së. Ndërsa, çartaqejfas e shëtiti Kosovën, sikur t’ia kishte bërë njëmijë e një të mira, dhe të mos kishte ndodhur e kundërta.
Ai e tha edhe vetë, unë e kam një vëlla serb: “më lejoni të jem edhe vëlla i Vuçiqit”.
Papranueshmëria e “Komunitetit të Ri Politik Evropian”
Për sa kohë e kemi kundërshtuar idenë dhe projektin ‘Ballkani i hapur”, argumentet sa vijnë e shtohen.
Kështu që në vend që të krijohen kushte pozitive për Kosovën, Edi Rama, po e shtyn projektin në atë drejtim, që e bën të papranueshëm.
Nëse deri më tash, ai dhe mbështetësit e tij mund të gënjenin se ishte fjala vetëm për një projekt ekonomik, ai tashmë e bëri publik qëllimin e tij, dhe para së gjithash të tutorëve të tij serb e proserb.
"Ne do të marrim pjesë në mbledhjen e Këshillit të BE-së. Nuk do të ketë shumë për të dëgjuar për ne, por ne do të kërkojmë të dëgjohemi për idenë e një Komuniteti të Ri Politik Evropian që ne e mbështesim, për Ballkanin e Hapur që çon përpara frymën e Evropës dhe për rrëmbimin tonë nga Bullgaria që shkatërron atë", ka shkruar sot Rama në postimin e tij në Tvitter, një ditë para fillimit të samitit të BE-së në Bruksel, ku do të merrë pjesë si vend kandidat.
Ky “Komunitet i Ri Politik Evropian”, që ka emrin si proces “Ballkani i hapur”, synon të kthehet në entitet politik, që pastaj mund ta marrë emrin si ‘Bashkimi Ballkanik’ apo thjesht “Ballkani” si e pat quajtur Adem Demaçi, para luftës në Kosovë një projekt, për një shtet të përbashkët.
Ky shtet është vet një jugosllavi e re, apo e katërta, sipas modelit, që Enver Hoxha e kishte pranuar, projektin jugosllav që t’i bashkohej Jugosllavisë komuniste si republikë e shtatë, por pa iu bashkuar Kosova asaj.
Pra, kjo ëndërr gati 100 vjeçare sllave, është gati të realizohet në kundërshtim me interesat e Kosovës dhe të shqiptarëve në përgjithësi. Kjo mbi të gjitha do t’i jepte Beogradit, atributet e një kryeqendre rajonale, edhe për shkak të zhvillimit, infrastrukturës, afërsisë gjeografike me BE-në (Brukselin) e të tjera.
Në kundërshtim të plotë me vizionin amerikan
Kjo bie tërësisht ndesh edhe me parimin apo me porosinë thelbësore amerikan, që Gabriel Escobar, e dha me 8 qershor në samitin e Ohrit, ku u mblodhën anëtarët e “Ballkanit të hapur” dhe në vëzhgim nga Mali i Zi dhe Bosnja.
“Më në fund ju mbështes që kjo iniciativë të jetë ekonomike, nuk është projekt politik, por i rëndësishëm ekonomik, e me rëndësi edhe të ngelet ashtu. Të fokusohet në krijimin e mundësive për njerëzit e rajonit”, ka deklaruar Escobar, në këtë samit, nëpërmjet një lidhje me internet.
Kjo kërkesë e Escobarit, tashmë është rrëzuar bazuar në projektin e ri të Ramës me forcat antishqiptare, “Komuniteti të Ri Politik Evropian”!
Eskobar, e ka thënë qartë se Ballkani i hapur”, duhet të ngelet ekonomik, ashtu siç i është prezantuar amerikanëve dhe siç është promovuar deri më tash.
Profesori amerikan, Eduard Zhozef e ka interpretuar saktësisht edhe pse e quan gabim përkrahjen nga SHBA-të të Ballkanit të hapur. Sipas tij, amerikanët e pranuan këtë ide duke besuar “nocionin se tregtia është e barabartë me besimin”.
Por, ai këtë e konteston, duke e kthyer vëmendjen tek etika dhe morali, si rrugë shumë më e besueshme, pra tek karakteri që ka një sistem.
“Ajo se çfarë ka rëndësi është karakteri i regjimit me të cilën po tregtoni. Pyesni Ukrainën: deri më 24 shkurt, Rusia ka qenë partneri kryesor tregtar i Kievit për eksporte dhe importe. Pyesni Japoninë, Korenë Jugore ose Taivanin nëse tregtia e ka ndërtuar besimin me Kinën”, ka Zhozef, duke reaguar pas deklaratës së dhënë nga ministri i Jashtëm i Rusisë, dora e djathtë e Putinit, Sergej Lavrov.
“Ashtu siç i shkon falënderimi Putin-it që i injektoi jetë NATO-s, lavdërimi shkon edhe për Sergey Lavrov, i cili i dha “puthjen e vdekjes” Ballkanit të Hapur. Kjo ide e administratës së Trump avancon agjendën e partnerit strategjik të Rusisë në rajon, Serbisë së Aleksandar Vuçiqit", pat shkruar Zhozef në Tvitter.
Pra, janë ekspertët amerikan, që e kualifikojnë si agjendë, qartësisht ruse. Dhe ne nuk kemi se si në këtë rast, të mos e kontestojmë “Ballkanin e hapur”, veçmas tashmë që është kthyer në agjendë të plotë politike, për të realizuar një projekt politik, Jugosllavinë e katërt!
Në korrelacion me agjendën ruse
Dhe Edi Rama nuk mund të shihet i shkëputur nga ky korrelacion, me agjendën ruse.
Rama në çdo përpjekje politike të Kosovës, si në procese anëtarësimi ndërkombëtar, si në bisedimet me Serbinë, ai jo vetëm e ka braktisur vendin tonë, por me këtë po e nis dhe përkrah çdo betejë të mundshme, që do ta rrezikonte seriozisht apo thelbësisht shtetin e Kosovës.
Atij asnjëherë të vetme nuk i ka interesuar se çfarë ka humbur Kosova në elementet e saj shtetërore dhe çfarë rrezikon të humb më tej nëse bën lëshime në bisedimet në Bruksel.
Ai asnjëherë të vetme nuk ka kërkuar që Kosova të lihet rehat, sa i përket asociacionit, që të mos i kërkohet të zbatojë marrëveshje antikushtetuese.
Ai ka shkuar aq larg sa madje, nuk guxon t’i përmend fare krimet serbe ndaj civilëve shqiptarë, asnjë masakër, dhe as gjenocidin e kryer!
Por, nëse Albini nuk din të distancohet, ai do ta ketë të vështirë të qeverisë më në këtë formacion aktual.
Me shpalosjen e projektit politik nga Rama, trumbetimi i tij për rëndësinë e ‘Ballkanit të hapur”, nuk mund të shihet ndryshe, veçse si mesazh i “Kalorësit të Kryqit të Madh, të Urdhrit të Kalorësve të Varrit të Shenjtë”!