Dugolli për dyshimet për plagjiat: Është konstatim i ORCA-s, i keshti të kesh

Aktuale

Dugolli për dyshimet për plagjiat: Është konstatim i ORCA-s, i keshti të kesh

Më: 23 qershor 2022 Në ora: 00:36
Bujar Osmani

Profesori universitar, Bujar Dugolli, ka folur rreth çështjes që ai po akuzohet se në një punim shkencor ka bërë plagjiaturë.

Sipas tij, ky është një konstatim i Organizatës për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), ku përdori edhe fjali popullore, duke thënë se “i keshti të kesh”.

Ai akuzoi kreun e kësaj organizate, Rron Gjinovci, duke thënë se po e shantazhon Universitetin e Prishtinës dhe financohet me para të dyshimta për të krijuar imazh të keq ndaj UP-së dhe stafit akademik.

Për artikullin që është konstatuar nga Këshilli i Etikës në UP se është plagjiaturë, Dugolli tha se është artikull jo i mirëfilltë shkencor, dhe karakteri dhe natyra e artikujve “review”, sipas tij, është ndryshe nga ata shkencorë pasi shkalla e ngjashmërisë dallon me njëri-tjetrin.

“Këshilli i Etikës ka konstatuar një shkelje procedurave, edhe pse unë s’pajtohem me të. Unë e kam dhënë një sqarim në lidhje me këtë. Ata s’e kanë marrë për bazë shkresat e lëndës, as kontrollin e një platforme tjetër që merret me kontrollin e plagjiatëve dhe programet kompjuterike ngjajnë dhe evidentojnë atë që quhet ngjashmërinë dhe s’konstatojnë nëse është plagjiat apo jo”, është shprehur Dugolli në “Edicioni Special”.

Dugolli tutje tha se Këshilli i Etikës s’ka bërë analizë profesionale, por ka rënë nën ndikimin e organizatës ORCA dhe rektorit aktual.

“Ai u ka propozuar dhe i ka përzgjedhur dhe nuk është rasti i vetëm që ka ndërhyrë në punën e tyre. Po të ishte profesional, ai do t’i merrte në konsideratë sqarimet që i kam dhënë unë”.

“Ne nuk kemi parë një grup profesional që është marrë me këto konstatime e të thotë se është shkelur kjo drejtë e autorit. Kur kemi të bëjmë me recensionet, në rast se unë e bëjë një të tillë me një libër, atëherë ngjashmëria e temës që e diskutoj në atë recension do të jetë 70 apo 80 për qind e ngjashme”, është shprehur Dugolli.

Për vendimin e Këshillit të Etikës, i cili thotë se artikulli në fjalë në bazë të së cilit janë ngritur në pozitë Bujar Dugolli e Ardian Kastrati, i pari thotë se s’pajtohet me të, pasi sipas tij, ia ka bërë qefin rektorit dhe organizatës ORCA.

“Këshillin e Etikës e mbikëqyr Senati, dhe kam paralajmëruar se do ta apeloj sepse është i papranueshëm ai vlerësim i tillë. Unë, Senatin që e udhëheq rektori aktual nuk i besoj, sepse ai ndërhyn dhe unë do të shikoj edhe instanca të veprimit lidhur me këtë rast, por s’do ta lejoj që as të fyhet integriteti im akademik e as që të ndërhyhet me metoda të tilla të kryqëzimit  për interesa personale dhe interesa biznesore”, është shprehur Dugolli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat