Drejtori i institutit EPIK, Demush Shasha, përmes një postimi në facebook ka komentuar zhvillimet e sotme në Samitin e BE-së me me liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku edhe kësaj radhe Kosovës nuk iu liberalizuan vizat.
“Ata që janë zhgënjyer sot i kanë pasur pritjet e gabume. Sot nuk është pritur asnjë vendim për liberalizimin e vizave, por maksimumi shprehja e një vullneti politik për liberalizimin e vizave. Lajm i mirë është se një numër i madh i vendeve kanë shprehur përkrahje për liberalizimin e vizave. Pamë po ashtu që edhe vendet skeptike kanë lëvizur pakëz nga pozicioni i tyre skeptik”, shkruan Shasha, përcjellë “Bota sot”.
Sipas Shashës, liberalizimi i vizave mundë të ndodhë në dhjetor, për çka i bën thirrje për reforma Qeverisë Kurti.
“Tani e gjithë vëmendja duhet të vendoset në intensifikimin e reformave dhe dialogut me vendet anëtare dhe institucionet e BE-së në mënyrë që të kemi një vendimmarrje pozitive për liberalizimin e vizave deri në fund të këtij viti. Dhjetori vjen shumë shpejt”, ka shkruar Drejtori i institutit EPIK, Demush Shasha.