Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu ka bërë të ditur se do të iniciohet peticioni për mbledhjen e 10 mijë nënshkrime që të riprocedohet në Kuvend projektligji për tërheqjen e 30 për qind të mjeteve nga Trusti Pensional.
Haxhiu përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, ka publikuar edhe dokumentin e peticionit.
Ai mes tjerash ka thënë se kjo garantohet me Kushtetutë të Kosovës.
Shkrimi i plotë:
Ashtu siç e kam paralajmëruar,
Grupi Pro tërheqjes 30% të Trustit do të inicoi Peticion për mbledhjen e 10 mijë nënshkrimeve për të riproceduar në Kuvend Projektligjin për Trustin, ju lumtë!
Këtë ua garanton :
Kushtetuta e Kosovës,
Neni 79 [Nisma Legjislative].
Nismën për të propozuar ligje, mund ta marrë Presidenti i Republikës së Kosovës nga fushëveprimtaria e saj/tij, Qeveria, deputetët e Kuvendit, ose më së paku dhjetëmijë qytetarë, sipas mënyrës së përcaktuar me ligj.
Ndonëse Kryeministri Kurti shfaqi gatishmëri që këtë të drejtë kushtetuese t’ua mohoj deputetëve duke i trajtuar ata si teknokrat apo robot të Albinit, kërkesat e qytetarëve nuk mund të shtypen me arrogancën e numrave të pushtetit.
Kush hynë në garë kundër qytetarëve çdo herë do të jetë humbës.
Shihemi në votimin e radhës për Trustin, deputetë të popullit apo robotë të Albinit.