Ditë më parë është mbajtur Samiti i BE-së, në Bruksel.
Kryeministri Edi Rama ka qenë pjesë e këtij Samiti, duke shtruar shumë tema të rëndësishme për shqiptarët.
Ai vuri në dukje se Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit kanë pasur statusin e kandidatit prej vitesh, Maqedonia e Veriut që nga viti 2005 dhe Shqipëria që nga viti 2014.
Rama dhe krerët e pesë vendeve të tjera të Ballkanit që kërkojnë anëtarësimin në BE - Bosnja, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia - u takuan në samit në Bruksel, me krerët e BE-së për katër orë përpara njoftimit për dhënien e statusit të kandidatit për Ukrainën dhe Moldavinë.
Ndërsa menjëhere pas përfundimit të Samitit është publikuar fjalimi I plotë I kryeministrit Rama.
E për këtë ka reaguar ish-ambasadori I Shqipërisë në Kosovë, Islam Lauka.
Ai u shpreh se fjalimi i plotë i kryeministrit Rama në Bruksel ishte pjesa ku u përmend liberalizimi i vizave për Kosovën, gjë që duhet vlerësuar, përcjell “Bota sot”.
Mirëpo atë se çfarë vë në pah Lauka është edhe plotë 4 paragrafe kushtuar Serbisë, gjë që dëshmoi se ai po kërkon nga BE të mos i bëjnë presion për sanksione Rusisë.
Para pak ditesh, Rama u shfaq me plisin shqiptar në Drenicë dhe me poza patriotike në Prishtinë ndërsa në Bruksel, kameleoni ynë u shfaq me oglavja-n serbe dhe me poza prosllave e proputiniste, shtoi Lauka tutje.
Postimi i plotë
Sot u botua në shtyp fjalimi i plotë i KM Rama, i mbajtur pardje në Samitin e BE-së, në Bruksel.
Veç të tjerash, në të kishte një paragraf për Kosovën, ku me plotë të drejtë, i kërkohet Bashkimit Europian që t'i hapë rrugë liberalizimit të shumëpritur të vizave për qytetarët e Kosovës.
Dhe bëri shumë mirë që e ringriti këtë çështje në Bruksel.
Por më poshtë, kishte jo një, por plotë 4 paragrafe, kushtuar Serbisë. Pasi vë në dukje rolin qendrorë të Serbisë në Ballkan dhe përkushtimin e saj në projektin europian ( teza të propagandës së Vuçiçit), Rama me mendjelehtësinë tipike të tij, iu kërkon udhëheqesëve të BE-së, pikërisht atë që dëshiron Moska- të mos i bëjnë presion Beogradit për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.
Para pak ditësh, Rama u shfaq me plisin shqiptar në Drenicë dhe me poza patriotike në Prishtinë. Në Bruksel, kameleoni ynë u shfaq me oglavja-n serbe dhe me poza prosllave e proputiniste. Duket se edhe paragrafi i vetëm për Kosovën u fut në fjalimin e tij për të shitur katër të tjerët për Serbinë.
Kizingeri ka shkruar se mendjelehtësia e poltikanëve është një luks për të cilin paguhet shtrenjtë. Problemi është se faturat i shkojnë jo Ramës, por Kosovës dhe kombit shqiptar.