PSD dorëzon te Kurti peticionet e VV-së që kundërshtonin marrëveshjet me Serbinë

Aktuale

PSD dorëzon te Kurti peticionet e VV-së që kundërshtonin marrëveshjet me Serbinë

Më: 27 qershor 2022 Në ora: 15:52
Dardan Molliqaj

Anëtarë nga Partia Socialdemokrate [PSD], para objektit të Qeverisë së Kosovës, kanë dorëzuar peticionet kur Vetëvendosje i organizonte për t’i kundërshtuar marrëveshjet e arritura me Serbinë, po ashtu edhe këtë të fundit për energjinë, të cilën e nënshkruan para një jave.

PSD para objektit të Qeverisë ka dorëzuar qindra peticione që Vetëvendosje i bënte për të kundërshtuar marrëveshjet e arritura në vitin 2015, kohë kjo kur vendin e drejtonte ish-kryeministri Isa Mustafa.

Në këtë aksion ka marrë pjesë edhe kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, i cili theksoi se kryeministri Albin Kurti ka ndërruar qëndrimet dhe sipas tij nuk mund të jenë dy “Kurta”.

Molliqaj ka thënë se në këto petecione është edhe nënshkrimi i kryeministrit Kurti.

“Përveç që kanë mbi 205 e mijë qytetarë që e kanë kundërshtuar, qeveria e Kosovës nuk i ka pyet qytetarët dhe nuk ka marr mandat për me nënshkrua një marrëveshje të tillë. Ajo që është interesante, në fund të njërës prej kësaj fletave, nënshkrues edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Siç mund ta shihni me datën 18.09.2015, Albin Kurti e nënshkruan këtë tekst, pra nuk mund të jenë dy Kurta, edhe ai i cili e nënshkruan kundërshtimin edhe ai i cili e zbaton këtë marrëveshje. Kritika jonë nuk është që Albini i ka ndërru fjalët, kritika jonë është që albini po e bënë një marrëveshje të dëmshme”, ka thënë Molliqaj.

Molliqaj po ashtu ka kundërshtuar marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë për energjinë. Ai ka thënë se në këtë marrëveshje ka ndarje etnike dhe se problemet nuk mund të zgjidhen me baza etnike.

“Kjo marrëveshje është logjika e ndarjes etnike në Kosovë. Ne nuk besojmë që zgjidhjet e problemit mes Kosovës dhe Serbisë janë zgjidhjet etnike. Ne vazhdimisht bëjmë thirrje për një marrëveshje e cila është gjithëpërfshirëse e përfundimtare dhe nuk i konservon ndarjet etnike. Besoj që kurrë më shumë se sot Albin Kurti duhet ta ketë parasysh se s’ka mandat me bë marrëveshje etnike në Kosovë dhe po ashtu i ka mbi 205 mijë qytetarë në mesin e tyre edhe veten që e kanë nënshkruar”, ka thënë Molliqaj.

Për marrëveshjen me Serbinë, ka folur ditë më parë edhe kryemninistri i Kosovës, Albin Kurti dhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi i cili e negocioi këtë marrëveshje.

Kurti javën e kaluar ka thënë se po e bëjnë më të mirë në krahasim me situatën e trashëguar nga qeveritë e kaluara.

“Kemi trashëguar shumë gjëra që nuk kemi dashur. Po bëjmë më të mirën me atë çfarë kemi trashëguar. Siç jemi zotuar, pas 20 vitesh po e ndalim një padrejtësi dhe gjakderdhje financiare në atë pjesë të vendit dhe po përfundojmë një problematikë në sektorin e energjisë. Ky sektor është prioritar për Qeverinë e Republikës së Kosovës, pasi prek çdo aspekt të jetës së qytetarëve tanë”, pati thënë Kurti.

Në anë tjetër, Bislimi në intervistën e tij duke folur për këtë temë shpeshherë doli në kundërshtim me veten. Ai kishte thënë se nëse do të kundërshtonin marrëveshjen njejtë siç po ia kujton tani PSD-ja, do të futeshin në rinegocim i cili do t’i konvenonte palës serbe.

“Në vitin 2022, ke pasë vetëm dy mundësi, të thuash se nuk e njoh marrëveshjen e 2013-s dhe 15-s, dhe futemi në rinegocim të saj, që do t’i konvenonte palës serbe, sepse ajo ka pranuar ta fus në rinegocim marrëveshjen në mënyrë që t’i humbin edhe 10 vite me pikë elemente dhe të shmangemi nga marrëveshja gjithëpërfshirëse, ose opsioni tjetër ta minimizojmë dëmin e marrëveshjeve që i kemi trashëguar, në mënyrë që të hapet rruga për marrëveshjen gjithëpërfshirëse,”, kishte thënë ai.

Bislimi po ashtu kishte bërë një deklaratë të çuditshme duke arsyetuar marrëveshjen e nënshkruar.

“Me nxjerrë përfundimin se një qëndrim i vitit 2018 duhet të vlejë për vitin 2022, osht absurd. Kjo është sikur me i thanë dikujt që ka thanë në vitin 2018 “i kom 25 vjet”, pse nuk po thotë i kom 25 vjet edhe në vitin 2022.”, kishte thënë ai.

Kujtojmë se të martën me 21 qershor delegacionet e Kosovës dhe Serbisë në Bruksel kanë miratuar një udhërrëfyes për zbatimin e Marrëveshjeve të Energjisë në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Menjëherë pas kësaj, Zyra e Rregullatorit të Energjisë [ZRRE], ka dhënë licencën kompanisë së shtetit të Serbisë për furnizimin dhe faturimin me energji elektrike në katër komunave në veri të vendit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat