​Serbët kremtojnë betejën e humbur të Kosovës, edhe kësaj radhe pati provokime

Aktuale

​Serbët kremtojnë betejën e humbur të Kosovës, edhe kësaj radhe pati provokime

Më: 28 qershor 2022 Në ora: 16:18
Gazimestan

Qindra serbë nga Kosova dhe rajoni kanë festuar sot betejën e humbur të Kosovës 633 vjet më parë në Gazimestan.

Në shënimin e asaj që serbët e quajnë dita e Vidovdanit nuk munguan provokimet nacionaliste.

Disa prej tyre me mbishkrime nacionaliste, fotografi të kriminelit serb Voislav Sheshel, flamuj rus dhe shkronjën “Z” që rusët e përdorin në pushtimin e Ukrainës, provokuan Policinë e Kosovës, por të njëjtit nuk u lejuan të hynë në manifestimin qendror. 

Ndër qytetarë, që zbritën nga autobusët, arsyetuan prezencën e tyre në Gazimestan dhe kritikuan Policinë e Kosovës “për sjelljen karshi tyre”. 

Gjorgjo Zariq, i cili kishte ardhur nga Beogradi, tha për KosovaPress se Policia e Kosovës po bën presion qytetarëve dhe kjo, sipas tij është absurde. 

Zariqi: Policia po bën presion

“Jo, në fakt asgjë, vetëm këto presione nga policia, nga këto organizata, organizata ilegale, vetëm ky presion, përcjellja e autobusëve tanë dhe gjëra të tilla, kontrollet e sigurisë atje, vërtet budallallëk, nëse më pyesni mua, vërtet budallallëk. Kjo është kauza jone fetare, kemi ardhur këtu për të festuar, dhe për të nderuar vdekjen e të parëve tanë, kjo është marrëzi”, tha ai. 

Ndërsa, Dragani, i cili kishte ardhur po ashtu nga Serbia, tha për KosovaPress se nga Policia e Kosovës s’kanë pasur asnjë provokim, mirëpo largimi i bluzave me mbishkrime nacionaliste është i panevojshëm. 

Dragan: Nga Policia e Kosovës s’kanë pasur asnjë provokim

“Kam ardhur këtu sepse është festa e jona, është një nga festat më të mëdha, dhe për shkak se këtu është bërë një betejë e rëndësishme për ne serbët, unë vij çdo vit këtu dhe do të vij sa të jem gjallë...Nga policia nuk kemi pasur asnjë provokim, vetëm qe i heqin bluzat mendoj se është e panevojshme mendoj se ky është vend përkujtimor serb, dhe sipas meje këtu mund te vishen, por ok, kjo është e juaja”, tha ai. 

Nga ana tjetër, patriarku serb Porfirije mbajti liturgjinë kryesore para të pranishmëve.

Porfinje: Fusha e Kosovës është vetëm një simbol i vuajtjeve të mëdha të popullit serb nga viti 1389 e deri më sot

“Këtu jemi para princit të shenjtë Lazar si fëmijë përpara stërgjyshit, gjyshit, babait tonë për t'u përkulur dhe për ta falënderuar për sakrificën e tij, pasi ai shkoi vullnetarisht në Golgotë me vullnetin e tij për të vuajtur, u sakrifikua për shpëtimi i botës, kështu princi i shenjtë Lazari doli në fushën e Kosovës me ushtrinë e tij për të sakrifikuar veten për atë që jemi sot, populli serb, populli që kremton Krishtin Shpëtimtar, populli që kremton atë besim, atë kryqin e nderuar dhe lirinë e artë për të cilën luftoi princi Lazar dhe ushtria e tij”, tha ai. 

Gjatë manifestimit serbët e pranishëm vazhduan me provokime sikur edhe gjatë manifestimeve të mëparshme, duke brohoritur “Kosova është Serbi” dhe duke shpalosur flamuj rus. 

Pas kësaj, të njëjtit u larguan në mënyrë të organizuar dhe pa ndonjë incident të theksuar nga Gazimestani. 

Ndryshe, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një person është arrestuar për nxitje të urrejtjes gjatë shënimit të Vidovdanit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat