Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike sot ka mbajtur mbledhjen e saj të radhës.
Mbledhja është ndërprerë, pas një orë e gjysmë pune, pasi deputetët e opozitës nuk janë kthyer në mbledhje pas pauzës, duke bërë që ky Komision të mbesë pa kuorum.
Edhe më parë, mbledhjet e Komisionit Hetimor Parlamentar për dyshimet rreth keqpërdorimit të energjisë elektrike nga viti 2006-2022, të mbajtura më 10 dhe 24 qershor, ishin përcjellë me një përplasje në mes pozitës e opozitës dhe kjo kishte bërë që të dështojë miratimi i listës së dëshmitareve, që do të ftoheshin për intervistim.
Ky Komision Hetimor është krijuar me kërkesën e LVV, pas kërkesës së opozitës që ka kërkuar Komision Hetimor për periudhën e fundit, të krizës energjetike në vend.
Ky komision i iniciuar me propozim të 42 deputeteve të pozitës përbëhet nga: Hajdar Beqa, Armend Muja, Haki Abazi, Arbër Rexhaj, Halil Thaçi, Rashit Qalaj, Armend Zemaj, Rrezarta Krasniqi, Time Kadrijaj, Duda Balje dhe Ljubinko Karadziq.