Kryeministri Albin Kurti u takua sot me shefin e misionit të OSBE-së në Kosovë ambasadorin Michael Davenport, me të cilin ka biseduar mbi zhvillimet e fundit në vend dhe veprimet e Qeverisë në fushën e mbrojtjes dhe respektimit të drejtave të pakicave.
Ambasadori Davenport u shpreh i kënaqur me dakordimin e arritur mbi udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjes për energji, si dhe procedimin e programit të Ballkanistikës në Universitetin e Prishtinë. Ai po ashtu falënderoi kryeministrin për video-adresimet e tij të fundit në gjuhën serbe.
Respektimi i të drejtave të njeriut, sundimi i ligjit dhe barazia e qytetarëve janë vlera dhe prioritete të qeverisë, tha kryeministri Kurti. Ai po ashtu foli për synimin e qeverisë që rritja ekonomike të jetë e qëndrueshme dhe e barabartë, nga e cila të gjithë përfitojnë sepse të gjithë kanë kontribuar.
Gjatë këtij viti, shtoi kryeministri Kurti, Kosova ka dëshmuar që zhvillimi ekonomik dhe qeverisja demokratike shkojnë krahas njëra-tjetrës dhe janë thelbësore për paqe të qëndrueshme, progres dhe mirëqenie sociale për të gjithë.
Kurti dhe Davenport folën edhe për qendrat mësimore të dedikuara për pakicat si mekanizma të rëndësishme në uljen e numrit të fëmijëve rom, ashkalinj dhe egjiptian që braktisin shkollën dhe që mundësojnë integrimin e mëtejmë të tyre në sistemin arsimor.
Duke vendosur theksin te nevoja për mbështetje për këto qendra, kryeministri tha se integrimi bëhet më i mundshëm atëherë kur qytetarët e Kosovës mësojnë dhe punojnë së bashku.