Prokurori i Shtetit ka bërë të ditur se gjatë 24 orëve të fundit nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) dhe prokuroritë themelore janë ngritur 47 aktakuza për vepra të ndryshme penale, ku përfshihen 56 persona.
Lajmi u bë i ditur përmes raportit 24 orësh të Prokurorisë së Shtetit, ku thuhet se tri prej tyre janë për korrupsion
Në raport thuhet se me urdhër të prokurorëve, 9 persona janë ndaluar për 48 orë, të dyshuar se kanë kryer vepra të ndryshme penale si dhe janë bërë katër kërkesa për caktim të paraburgimit ndaj katër të dyshuarve se kanë kryer vepra të ndryshme penale.
Gjatë 24 orëve të fundit, Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka ngritur dy aktakuza kundër dy personave për veprën penale nga kapitulli i korrupsionit “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.
Për veprën e njëjtë penale, Prokuroria Themelore në Gjilan ka ngritur një aktakuzë kundër një personi.