Ish-mjeku i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Liri Loshi, ka treguar se në luftë ka mjekuar ushtarë që janë plagosur aksidentalisht nga shokët e tyre. Ai ka thënë se gjatë luftës, ka parë poashtu ushtarë që aksidentalisht kanë vrarë veten.
Derisa ka siguruar se këto skena janë 100 për qind reale, Loshi u ka kërkuar atyre që nuk ishin në luftë, të mos flasin asgjë për të, përcjell Bota sot.
Postimi i plotë i Loshit në Facebook:
Për kuriozitetin e juaj, në luftë kryesisht kam mjekuar ushtarë që janë plagosur nga predhat dhe plumbat e armikut. Por kam mjekuar edhe ushtar që aksidentalisht e ka plagosur shoku i tij. Kam mjekuar nuse që aksidentalisht e ka plagosur burri i saj. Kam mjekuar ushtarë që aksidentalisht e ka plagosur veten. Kam parë ushtarë që aksidentalisht e ka vrarë veten. Krejt kjo ka ndodh në një territor relativisht të vogël që nuk është as sa një e katërta e Drenicës dhe jo më gjatë sesa brenda një viti. Çka ka ndodh në krejt Kosovën, nuk e di, por incidentet që përmenda nuk janë të imagjinuara. Janë 100% reale. E ju që s’keni qenë në luftë fare nuk dini asgjë për luftën. S’ka rëndësi a jeni veteranë a s’jeni. S’ke qenë në luftë, mos fol për luftën. Merri paret e trus rri qaty!