Udhëheqësi i Ambasadës çeke në Prishtinë Pavel Bilek ka deklaruar se Kosova dhe Serbia duhet të bëjnë më shumë në procesin e dialogut, pasi aktualisht ka ngecje.
Ai tha se progresi i integrimeve evropiane të Kosovës është i ndërlidhur me rezultatin e dialogut.
“Duhet të bëhet më shumë nga të dyja palët”, theksoi ai.
Bilek më tej premtoi se presidenca çeke do ta ketë në prioritet dialogun, duke shtuar se në përafrimet e qëndrimeve në mes të Kosovës e Serbisë më së miri e dinë përfaqësuesit e Kosovës dhe të Serbisë, por që, sipas tij, marrëveshja gjithëpërfshirëse do të zgjidhte të gjitha çështjet, si dhe njohjen reciproke.
“Marrëveshja gjithëpërfshirëse në sytë e Republikës Çeke është një marrëveshje që do të zgjidhte të gjitha çështjet, si edhe njohjen reciproke”, tha Bilek në RTKLive.
Për sa i përket liberalizimit të vizave ai shtoi se është i ndarë si proces me çështjet tjera, duke përfshirë dialogun mes Kosovës e Serbisë, në integrimet evropiane.
"Liberalizimi i vizave është proces i ndarë, por në integrimet evropiane Kosova ka detyrime që duhen plotësuar, andaj është i ndërlikuar procesi i zgjerimi të BE-së”, tha Bilek.