47-vjeçari, Ilir Gashi, i cili u plagos një javë më parë nga kushëriri i tij në Kryshec të Pejës ka vdekur sot në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Kështu raportoi media duke u thirrur në burime të afërta.
Para një jave, Iliri dhe vëllai i tij, Flakrim Gashi, ishin plagosur me armë zjarri në Kryshec të Pejës.
Siç njoftoi Policia e Kosovës, rasti kishte ndodhur në orët e vona të së martës, kur një person kishte gjuajtur me breshëri plumbash nga një veturë në lëvizje në kohën kur Ilir e Flakrim Gashi po qëndronin në terasën e një lokali.
I dyshuari, i cili ishte kushëriri i dy të plagosurve, ishte arrestuar dhe më pas ishte konfiskuar arma e cila dyshohet të jetë përdorur në rast.
Me vendim të prokurorit i dyshuari ishte dërguar në mbajtje. Rasti ndodhet në hetime nga Prokuroria e Shtetit.